Presidenti: Mbledh Këshillin e Sigurisë për drogën e krimin

Gjatë një leksioni të hapur me studentë të Universitetit të Shkodrës, Presidenti Bujar Nishani deklaroi dje se për shkak të përmasave kombëtare që ka marrë fenomeni i kanabisit, ka vendosur të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Është një fenomen që ka marrë përmasa padyshim kombëtare dhe pikërisht për këtë arsye, për shkak të marrjes së këtyre përmasave dhe shqetësimit të agjencive ligjzbatuese dhe të inteligjencës së vendit, por edhe ato partnere, unë kam vendosur që së shpejti të thërras Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar në lidhje me problematikën dhe mënyrën se si ne duhet ta përballojmë këtë sfidë serioze në vendin tonë”, tha Nishani.
Presidenti Nishani tha gjithashtu se rreziku kryesor për vendin dhe qytetarët është krimi i organizuar. Nëse do të lejojmë krimin e organizuar që të institucionalizohet, atëherë vendi do të ketë probleme të mëdha, tha Presidenti.
“Ka probleme me çështjen e standardit të jetës, me çështjen e funksionimit të institucioneve, me padrejtësitë e sistemit të drejtësisë. Por qytetarët dekurajohen shumë kur shikojnë se si ngjiten me shpejtësi në hierarkinë e vendimmarrjes apo ndërhyjnë në vendim: pjesën e krimit të organizuar. Dhe ky është një alarm, të dashur miq, që duhet të na kapë të gjithë ne dhe që kërkon padyshim qasjen e të gjithë aktorëve”, tha Presidenti.
Presidenti tha se shkak për humbjen e besimit dhe shpresës për të ardhmen janë pikërisht përmasat që ka marrë krimi i organizuar në vend.
“Natyrisht, nuk lindi sot krimi i organizuar në Shqipëri, as dje, por po kthehet me shpejtësi në një lloj institucionalizimi. Se, nëse individë bashkohen në grupime dhe këto grupime të krimit të organizuar fillojnë të hyjnë në politikë, fillojnë ndërhyjnë në ekonomi, fillojnë ndërhyjnë në përdorimin e aseteve publike, fillojnë e penetrojnë në elementet më të rëndësishëm që ka një shoqëri; në segmente të medias dhe të botës ekonomike, atëherë krijohet një rreth që e fut dhe e mbyt shoqërinë dalëngadalë”.
Sfidë shumë e madhe e procesit të integrimit, tha Presidenti Nishani, është çështja e krimit të organizuar që shkon përtej negociatave dhe kapitujve. “Nëse ky krim konsolidohet, atëherë bëhet i pamundur angazhimi i vendit, qoftë përmes legjislacionit, qoftë përmes ndërtimit të mekanizmave për integrimin në BE”, tha Nishani.
Në orët e pasdites së djeshme si kreu i qeverisë Rama edhe ministri i Brendshëm, Tahiri kanë deklaruar se nuk kanë ndër mend që të marrin pjesë në këtë takim. Të dy ata bashkë që janë edhe shkaktarët kryesorë të situatës së krijuar deklaruan se janë kundër thirrjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Nga Shkodra, kreu i shtetit u ka bërë edhe një thirrje të gjithë akademikëve dhe studentëve që të kontribuojnë më shumë për shoqërinë shqiptare.
“Shoqëria shqiptare ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në këto 25 vite. Ende ne kemi hapësira të shumta të pashfrytëzuara dhe energji të pakonsumuara në mënyrën më të mirë të mundshme. Kam një thirrje sot të gjithë akademikëve dhe studentëve, që krahas axhendës së tyre të përditshme të mësimdhënies apo mësimnxënies të shohin problematikën që ka shoqëria jonë për të përcjellë më pas opsionet e zgjidhjes. Shoqëria duhet t’i shohë gjërat më drejtpërdrejt në mënyrë që gjërat të ndryshojnë në mënyrë rrënjësore krahasuar me 20-vjeçarin që kaluam. Nëse bëjmë një krahasim me resurset që disponon Shqipëria dhe me rajonin sepse nuk mund të krahasohemi me Francën dhe Gjermaninë, por të krahasohemi me vendet e rajonit dhe besoj se askush nuk mund të kundërshtojë faktin se Shqipëria ka potenciale të mëdha si për shembull, prodhimi i naftës. Shqipëria është vendi më i pasur sa i përket burimeve ujore”, tha ai.
Nishani ka theksuar edhe pse Shqipëria ka kapacitete ekonomike të mëdha në rajon, ende mbetet një vend i varfër.
“Mirë që kemi kapacitetet, por edhe të ardhurat dhe standardi ekonomik është më i vogël se vendet e rajonit që nuk i ka resurset tona. Akademikëve i lind përgjegjësia për të laboruar mekanizmat. Ka shumë arsye duke nisur që nga korrupsioni, por edhe mungesa e kapaciteteve menaxhuese. A do të vazhdojmë që të jemi në këtë status quo? E di që korrupsioni është në nivele të larta, por mund të luftohet nëse ka vullnet dhe dëshirë. E di që nuk mund të zhduket, por s’mund të jetë sistematik. Nis që nga ofrimi i shërbimeve në rrugë teknologjike duke minimizuar subjektivizmin e personave që kanë tendencë përfitimi të padrejtë”, bëri të ditur kreu i shtetit.

Presidenti, apel intelektualëve të marrin përgjegjësi

Duke iu drejtuar të pranishmëve të shumtë dhe botës akademike në përgjithësi, por studentëve në veçanti, Presidenti Nishani foli për dy çështje kryesore: për dinamikën dhe përgjegjësinë që kanë të gjithë intelektualët lidhur me zhvillimet e brendshme politike, ekonomike, sociale e kulturore dhe ecurinë e vendit, si dhe për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
“Çdo grup shoqëror dhe çdo individ në shoqërinë tonë ka liritë, të drejtat, si dhe përgjegjësitë e veta në raport me të tashmen dhe me të ardhmen dhe përgjegjësia kryesore ka të bëjë me dinamikën në raport me perspektivën tonë të përbashkët, sepse pavarësisht se Shqipëria ka bërë përparime të shumta, ne kemi ende hapësira të pashfrytëzuara, energji dhe kapacitete që presin të vihen në punë”, vuri në dukje Presidenti.
Kreu i shtetit, pasi paraqiti dhe shtjelloi gjerësisht idetë dhe këndvështrimet institucionale, të bazuara edhe në përvojën e gjatë të fituar edhe në karrierën akademike, pozicionet e mëparshme shtetërore, duke evidentuar si sfidën më të madhe “mungesën e aftësive menaxheriale”, u bëri thirrje pedagogëve dhe studentëve, intelektualëve dhe akademikëve që krahas axhendës së tyre të përditshme, të marrin përsipër edhe përgjegjësitë ndaj problematikave të shumta që hasim, për të gjeneruar, ideuar dhe ofruar zgjidhje dhe platforma të vlefshme dhe praktike, sepse të ardhmen tonë do ta ndërtojmë këtu.
“Kërkesa ime si President i Republikës, por edhe si qytetar, drejtuar profesorëve, pedagogëve, studentëve është që ju të fokusoheni në platforma konkrete zhvillimore politike, ekonomike, shkencore, teknologjike dhe kulturore, sepse vetëm në këtë mënyrë do të përmirësohemi, duke përmbushur edhe përgjegjësitë që kemi ndaj brezave të rinj dhe atë çka do t’u lemë atyre trashëgim”, theksoi kreu i shtetit.