Mziu inauguron nisjen e punimeve për rrugën 7 km në Babrru

Nisin punimet për ndërtimin e rrugës së Babrrusë rreth 7 km. Kryetari i bashkisë Kamëz Xhelal Mziu inauguroi sot fillimin e punimeve të rrugës së Qender-Babrru-Ura e Institutit, duke dhënë kështu lajmin e shumëpritur që ky investim tejet i rëndësishëm do të realizohet duke ju ardhur në ndihmë mbi 50 mijë banorëve të Njësisë Administrative Paskuqan, pjesë e bashkisë Kamzës. Realizimi i këtij investimi do të ndikojë dhe në lehtësimin e trafikut për banorët e kryeqytetit të cilët do të zgjedhin të kalojnë përmes kësaj rruge. Edhe pse e gjendur përballë bllokadës qeveritare për mosfinancim të projekteve, ku 94 prej tyre sipas fushave përkatëse flenë në sirtarët e ministrive të linjës, bashkia Kamzës nis sot këtë investim me të ardhurat e veta.
Ky investim i rëndësishëm nga bashkia Kamëz ishte parashikuar të kryhej sepse IVMT (Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit) kishte prishur ndërtimet pa leje në bashkëpunim dhe mirëkuptimin e banorëve, por duke mos pasur mbështetjen e qeverisë për financim sot nisi punimet për ta financuar me të ardhurat e veta.
“Pavarësisht angazhimit të Bashkisë për të gjetur partneritet me qeverinë shqiptare për financimin e kësaj rruge kaq të rëndësishme, besoj që ndërtimi i kësaj rruge dhe këtij segmenti do të jap një impakt të jashtëzakonshëm social, jo vetëm për banorët e Babrroit dhe Paskuqanit por edhe më gjerë sa aq, edhe për qytetarët e Tiranës si dhe do të ndihmojë dhe zhvillimin e biznesit. Zona e Paskuqanit është zona më vizibël, jo vetëm për Kamzën, por edhe për vet Tiranën, pasi pozicioni gjeografik e favorizon, por sot zona e Paskuqanit është e pazhvilluar përsa i përket zhvillimit të biznesit, kjo për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe kjo ka sjellë për shkak edhe më pak të punësuar në këtë zonë.
Ndërtimi i kësaj rruge do të sjellë zhvillimin e biznesit, e rrjedhimisht do të sjellë më shumë të ardhura për Bashkinë. Ajo çfarë është më kryesorja dhe primarja për bashkinë Kamëz është rritja e numrit të të punësuarve në sektorin privat. Po të shohim në qytetin e Kamzës kemi më shumë se 15 kompani fasone që kanë punësuar më shumë sesa 8 mijë të reja dhe të rinj dhe jam i sigurt që pas 6 muajsh ose pas një viti do të kemi një numër të konsiderueshëm kompanish që do të vijnë këtu për shkak të çmimit të lirë, për shkak të infrastrukturës së mirë, por edhe politika fiskale që ndjek bashkia është mjaft konkurruese dhe ka nxitur zhvillimin e biznesit dhe ardhjen e shumë kompanive të huaja”, tha kryebashkiaku Mziu në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve.
Ndryshe nga gjurma e mëparshme e rrugës, në aksin e ri do të trotuare me gjerësi 2 metra të shtruar në të dy anët e rrugës të cilët do të jenë të shtruar me pllaka, do të këtë ndriçim, gjerësia e rrugës do të jetë 7-8 metra si dhe do të bëhet sistemimi i ujërave të bardha. Bashkia Kamzës nën drejtimin e kryebashkiakut Xhelal Mziu e ka pasur prioritet përmirësimin e infrastrukturës dhe sikurse ka bërë në Kamëz në dy mandatet e mëparshme, të njëjtin model po e ndjek dhe në Paskuqan.
Jo pa qëllim mbi 55% të vlerës së buxhetit të Bashkisë Kamëz për vitin 2016 është parashikuar për investime publike dhe pjesa më e madhe e të cilave po realizohen në Njësinë Administrative të Paskuqanit . Në Paskuqan po ndërhyhet me dhjetëra investime për sa i përket infrastrukturës rrugore, të kanalizimeve, si dhe të asaj arsimore. Përveç këtij investimi të madh dhe të rëndësishëm siç është rruga Nga Babrru Qendër-Ura e Institutit, në Paskuqan por ndërhyhet ndërkohë dhe në sistemin e ujerave të bardha dhe të zeza si Paskuqan 2, Vresht, riparimin urës Fushë-Kërçik, ndërtimin e rrugës para shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi” etj, të cilat janë të listuara në investimet e parashikuara në buxhetin e Bashkisë për vitin 2016.
Pikësynimi i Bashkisë Kamëz është, që nëpërmes politikave zhvillimore të saj të bëjë të mundur përmirësimin e infrastrukturës urbane në Kamëz dhe në Paskuqan. Dhe kjo, mbështetur vetëm në të ardhurat e veta.
Në këtë ceremoni kryebashkiaku Mziu dha dhe një lajm tjetër që sipas tij brenda pak ditësh do të fillojë financimi i fazës së parë së furnizimit me ujë 24 orë të qendrës së Barruse e cila ka 20 vite e cila e vuan furnizimin me ujë. Po sipas kryebashkiakut të Kamzës brenda këtij viti do të fillojë një tjetër investim po në këtë zonë në ndërtimin e infrastrukturës së të gjitha rrugëve, trotuareve, ndriçimit dhe gjelbërimit në qendër të Babrrusë. I gjithë financimi është pjesë e Bashkisë me fondet e veta bashkia. Kryebashkiaku Mziu i bëri një thirrje qeverisë të financojë projektet e gatshme që kanë impakt për qytetarët sepse në 3 vite qeverisje 0 lekë investime ka sjellë për bashkinë Kamzës. Zoti Mziu kërkoi nga qeveria mbështetje për rivitalizimi i qendrës së Babrroit apo ndërtimi i një kopshtit që e vuan Paskuqani apo rehabilitimi i disa institucioneve të tjera arsimore pasi sipas tij është absurde që qeveria të ketë një bojkot të tillë nga Kamzës.