Ballina Aktualitet Masakra në pyje, 10 kamionë me dru në rrugët e Kolonjës

Masakra në pyje, 10 kamionë me dru në rrugët e Kolonjës

Masakra në pyje vijon pa ndërprerje ndonëse ka një ligj për ndalimin e prerjeve të druve. Vetëm ditën e djeshme, 10 kamionë pa targa dhe me targa kanë nxjerrë trupa në Kolonjë. Denoncimi i këtij skandali është bërë nga kreu i Departamentit të Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit pranë Partisë Demokratike, Jamarbër Malltezi.
“E gëzofshi moratoriumin e prerjes së pyjeve! 10 kamionë (8 pa targa) kanë nxjerrë trupa vetëm brenda ditës së djeshme në Kolonjë. Kjo ndodh kur ligjet bëhen veç për fasadë. E gëzofshi edhe kontrollin e territorit ju fasadaxhinjtë! Veç mushkëritë tona e të fëmijëve tanë po gërryejmë për ca para më shumë për pushtat e shtetit”, shkruan Malltezi në një postim në rrjetin social Facebook.
Qeveria ka deklaruar moratorium, por ai duket se është vetëm për popullin, pasi njerëzit e qeverisë dhe trafikantët vazhdojnë punën të qetë. Edhe në Korçë vijon prerja e pyjeve, sidomos tani që ka trokitur stina e dimrit. Para tre ditësh një kamion i ngarkuar me dru është fotografuar nga një qytetar në rrugën nacionale Vithkuq-Korçë. Për t’u “fshehur” nga syri i lirë kamioni ka shtuar ato që quhen spondet e mjetit.
Qeveria deklaron se askush nuk pret dru, por në Korçë ndodh çdo ditë, moratoriumi vetëm sa ka dyfishuar çmimin e druve për familjarët. Masakra vazhdon pandërprerje në pyjet e Vithkuqit.
Edhe në Librazhd prerja e pyjeve vazhdon nga trafikantët e mbështetur nga zyrtarët e qeverisë. “Oficerët e Policisë Rrugore në Moglicë dhe Vithkuq të Korçës, si edhe në Lunik dhe Stavraj të Librazhdit, kanë frikë nga trafikantët e lëndës drusore se janë banditët e Edvinit dhe Taulantit, si V. Rrushi që qëlloi mbi gazetarët dhe pushtat i mbyllën çështjen penale. Trishtim për nivelin e shtetit kinse ligjor në këtë vend”, shkruan Malltezi në Facebook.
Edhe në qytetin e Shkodrës, kamionët e ngarkuar me lëndë drusore kanë filluar të shfaqen tek kryqëzimi i Rusit apo ura e Thive. Në prag të stinës së ftohtë, biznesi i druve të zjarrit është zhvendosur pas fasadave të pallateve apo në brendësi të lagjeve periferike. Qarku i Shkodrës ka pasur një ndër sipërfaqet pyjore më të mëdha në vend, por masakra ka qenë e pandalshme sidomos në tre vitet e fundit. Sipërfaqe të tëra janë shpyllëzuar nga shfrytëzuesit për lëndë drusore, kultivuesit e kanabisit apo nga zjarrvënësit e qëllimshëm.
Mali i Cukalit ka qenë i pari që u “shpyllëzua” nga prerjet e drurëve, e 25 vite më pas në të nuk duket gjurmë pylli. Shpyllëzimi i kësaj zone i ka zhvendosur tregtarët e pyjeve drejt Bjeshkëve të Shoshit, i kthyer në një destinacion kryesor për aktivitet të paligjshëm gjatë kohëve të fundit.
Banorët e zonës thonë se, kamionët me lëndë drusore lëvizin përmes akseve Drisht-Prekal-Dukagjin, Rresek-Domën-Sumë dhe Dedaj-Hot-Vermosh.
Kamionët e ngarkuar me trungje pemësh shfrytëzojnë orët e natës dhe rrugët dytësore për të mbërritur në destinacion. Këto rrugë përdoren kundrejt pagesës ndaj pronarëve të tokës, duke shmangur kontrollet e policisë dhe inspektorëve të pyjores.

R.POLISI

Exit mobile version