Interi mendon edhe për Hiddink

Me largimin zyrtar të Frank de Boer nga Interi, klubi zikaltër është vënë në kërkim të trajnerit të ri. Zgjedhja pritet të bëhet publike në ditët në vazhdim, ndërsa përballë Southampton dhe Crotone-s, skuadra do të drejtohet nga tekniku i ekipit të të rinjve, Stefano Vecchi. Vetëm më pas do të mësohet se cilit trajner do t’i besohet drejtimi i stolit. Stefano Pioli është favorit për postin, me ish-teknikun e Lazios që është preferenca e drejtuesve sportivë të Interit, Gardini e Ausilio. Megjithatë, pronarët e klubit nuk duan të nxitohen dhe preferojnë profilin e një trajneri ndërkombëtar. Suning po fiton kohë dhe të premten pritet të zbarkojë në Milano, për të vlerësuar edhe disa alternativa jashtë Italisë.
Tundimi është i madh për t’ia besuar ekipin Guus Hiddink, ndërsa alternativa të tjera që do të vlerësohen janë Marcelino, Vitor Pereira dhe Villas Boas, me këtë të fundit që duket më pranë Bundesligës gjermane. Ka dalë jashtë loje kandidatura e Leonardo-s, i cili kishte mbështetjen e ish-presidentit Massimo Moratti. Familja Zhang duket se nuk ka ndërmend që të dëgjojë askënd nga emrat e rëndësishëm të klubit, me alternativën Hiddink që po fiton kuota. Kjo është arsyeja përse Pioli rrezikon vërtet që të mos ulet në stolin zikaltër, pavartësisht akordit parimor me drejtuesit e klubit. Sido që të jetë, ajo që mund të thuhet me siguri në këto momente është se trajneri i ri do të debutojë në derbin kundër Milanit më 20 nëntor.