Prokurimi publik në nivel qendror, jo transparent

Vetëm 6% e institucioneve publike kanë dhënë informacione shpjeguese rreth prokurimit në faqen e tyre të internetit dhe këto informacione kanë të bëjnë kryesisht me njoftime për dhënien/anulimin e kontratave.
Ndërsa asnjë nga ministritë nuk ka publikuar planin për prokurimin publik. Për më tepër, shumica e ministrave apo 72% nuk kanë publikuar buxhetet e tyre vjetore.
Për më tepër, nga ky studim del se shumica e ministrive apo 72%, nuk kanë publikuar buxhetet e tyre vjetore. Ky konstatim ka dalë nga një hulumtim i bërë nga Instituti Riinvest me temën “Sa është e hapur qeveria e Kosovës”. Përfaqësuesja e këtij instituti, Antigona Uka, tha se hulumtimi është bazuar në transparencën fiskale, qasjen në informacione të rëndësishme publike, transparenca dhe mbikëqyrja parlamentare, si dhe plani nacional i veprimit.
“Në transparencën fiskale tregohet se në këtë kategori hyjnë të dhënat buxhetore, prokurimi publik dhe të dhënat e organizatave. Nga këtu shohim të dhënat më pak të qasshme e që janë të dhënat e prokurimit publik, pastaj kemi edhe buxhetin vjetor, i cili është një ndër dokumentet më me rëndësi për secilin institucion edhe ky dokument nuk është mjaft i qasshëm edhe i publikuar në webfaqen e institucioneve publike.
Përkatësisht 72% e ministrive nuk i publikojnë buxhetet vjetore. Të dhënat organizative, siç janë kontaktet për prokurim publik, janë vlerësuar me pikë më të larta, pasi ato janë ndër të dhënat më të hapura”, tha Uka.