Ballina Ekonomi Interesat e kredive për biznes rriten ndjeshëm në shtator

Interesat e kredive për biznes rriten ndjeshëm në shtator

Epoka e kredive të lira për sipërmarrjet shqiptare duket se ka marrë fund, pavarësisht se politika monetare e Bankës së Shqipërisë është ende me kah lehtësues. Sipas statistikave mujore të shtatorit, publikuar nga Banka e Shqipërisë, në shtator janë rritur interesat e kredisë në lekë për pjesën më të madhe të kredive.
Sipas BSH, norma e interesit e huave të reja në lekë për korporata jofinanciare private arriti në 10.42% në shtator, nga 8.86% që ishte në gusht, me një rritje të ndjeshme prej 1.56 pikë përqindje dhe duke shënuar nivelin më të lartë që prej dhjetorit 2015, kur Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhënat e zgjeruara.
Rritjen më të lartë e ka shënuar huaja për overdraft dhe kapital qarkullues, që përgjithësisht merren nga biznesi për nevoja likuiditeti emergjente dhe sidomos huaja për blerje pajisjesh, që ka kërcyer nga 6.86% në 11.54%. Në rënie ka qenë vetëm interesi për kreditë për pasuri të paluajtshme, nga 8.84% në 6.06%. Më të shtrenjta kanë qenë dhe kreditë në euro, nga 4.76% në 5.96%.
Bankierët pohojnë se janë disa nga arsyet që po rriten interesat, pavarësisht se Banka e Shqipërisë në prill dhe maj uli dy herë normën bazë, duke e çuar në 1.25% aktualisht.
Së pari, normat e bonove të thesarit, që shërbejnë si referencë, kanë qenë në rritje dy muajt e fundit.
Së dyti, risku i perceptuar i bankave është shtuar, siç kanë dëshmuar dhe sondazhet e fundit me bankat, ku risku makroekonomik cilësohet si një nga shqetësimet kryesore të bankierëve.
Së treti, niveli i kredive me probleme është rritur sërish, duke arritur në 21.4% në gusht, teksa nuk janë problematike vetëm 35 korporatat e mëdha, por huatë me probleme po konstatohen dhe në sektorë që përgjithësisht kishin qenë të mirë.
Në kahun tjetër, në shtator kredia për ekonominë shënoi sërish rënie. Ndryshe nga interesat e kredisë për biznese, huaja për individë ka shënuar rritje fare të lehtë në shtator, në raport me muajin e mëparshëm nga 6.89 në 7.03%.

Exit mobile version