Fergi: S’shoh tjetër lojtar veç Ronaldos

Fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2016 nuk mund të jetë askush tjetër përveç Cristiano Ronaldos. Kështu shprehet Sir Alex Ferguson, trajneri skocez që mbretëroi për 27 vite në stolin e Manchester United, madje për një periudhë ka patur nën urdhrat e tij edhe yllin portugez. Në një intervistë për mediat spanjolle, veterani skocez jep argumentet pse duhet të fitojë 31-vjeçari luzitan. “Viti 2016 ka qenë fantastik për Ronaldon. Sukseset e tij janë të paarritshme, kaloi një vit të mrekullueshëm, duke fituar Champions Leaguen me Realin dhe Kampionatin Europian me Portugalinë. Nuk mund të mendoj që dikush tjetër të marrë trofeun e ‘Topit të Artë’”, u shpreh Ferguson.
Ferguson është personi që ka parë nga afër zhvillimit e talentit portugez, i mbërritur te Manchester United vetëm 17 vjeç. Gjatë eksperiencës së tij te “Djajtë e Kuq”, Ronaldo ka fituar tre tituj radhazi të Premier Leagues në vitet 2007-2009, një Champions League më 2008-ën dhe një Botëror për Klube po në këtë vit.
“Konfirmimi i tij si një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave nuk ka qenë surprizë. Kam mësuar ta njoh që kur ishte 17 vjeç dhe kam parë se si është rritur profesionalisht. Janë disa talente të futbollit të destinuar për t’u bërë të mëdhenj, por një faktor thelbësor është etika e punës që të bën një lojar të kompletuar. Edhe në moshë shumë të re ishte shembull për të gjithë te Manchester United”, tha Ferguson.