Bale-Real zyrtare deri në vitin 2022

Real Madrid-Gareth Bale, një dashuri që do të zgjasë të paktën deri në vitin 2022. Sulmuesi uellsian dhe klubi “merengues” zyrtarizojnë marrëveshjen e rinovimit edhe për 6 vitet e ardhshme. Lajmin e bën të ditur klubi spanjoll në faqen zyrtare, duke konfirmuar se projekti “Los Blancos” do të vazhdojë me Bale, i cili ka arritur të bindë gjatë dy sezoneve të fundit pas një starti jo shumë të mirë me këtë fanellë. Kontrata e re e Bale do të skadojë kur ai të jetë 33 vjeç, çka do të thotë se uellsiani do ta kalojë pjesën më të madhe të karrierës në “Santiago Bernabeu”, aty ku synon të bëhet një emër me peshë. Bale bëhet lojtari i tretë që rinovon me Realin e Madridit gjatë viteve të fundit pas Toni Kroos, Luka Modriç dhe Lucas Vazquez.
Ai u bashkua me Realin e Madridit gjatë vitit 2013 pasi shpërtheu në radhët e Tottenham. Fillimisht ai nënshkroi për 6 sezone, por kontributi që ka dhënë për Realin e Madridit ku ka fituar 2 UEFA Champions League, 1 Kupë Mbreti, 1 Superkupë Europe dhe 1 Botëror Klubesh e bindën presidentin Perez t’i besojë një rol kryesor në këtë skuadër.