Zhvendosja e vëmendjes, eksportet e produkteve bujqësore, rritje minimale në shtator

Eksportet e grupit “Ushqimet, pijet dhe duhani”, që kishin shënuar një ecuri mjaft të mirë përgjatë këtij viti janë frenuar ndjeshëm në shtator, duke u zgjeruar me vetëm 7%, me bazë vjetore, sipas të dhënave të fundit në publikimin e tregtisë së jashtme për muajin shtator nga INSTAT. Eksportet e këtij grupi ishin 1.5 miliardë lekë në shtator, nga mbi 2 miliardë lekë që kishin qenë mesatarisht muajt e mëparshëm. Gjithsesi, për 9-mujorin, ky grup është rritur me 21.7%, për të arritur në rreth 17 miliardë lekë, si rrjedhojë e performancës së mirë në 6-mujorin e parë.
Grosistë të fruta-perimeve në tregun e madh ushqimor në kryeqytet kanë pohuar një mungesë të prodhimit vendas të perimeve për arsye se një pjesë e fuqisë punëtore në fshat është orientuar drejt hashashit. Për rrjedhojë, çmimet e domateve dhe disa perimeve të tjera në kulmin e sezonit gjatë muajit gusht kanë qenë 30-50% më të larta se një vit më parë.
Në kahun tjetër, frutat dhe perimet u renditën ndër 12 produktet më të importuara në vend në 9-mujorin e këtij viti. Sipas të dhënave nga doganat, importet e frutave dhe perimeve ishin në vlerën e 1.5 miliardë lekëve në janar-shtator 2016. Grupi i frutave dhe perimeve të paktën dy vitet e shkuara nuk ishte i përshirë në 20 mallrat më të importuara në vend.
Ekspertë të njohur të ekonomisë në një prononcim të mëparshëm për “Monitor” kanë pohuar se pavarësisht efekteve pozitive afatshkurta, në afatin e gjatë nuk vjen asgjë e mirë nga paratë e ekonomisë kriminale. Ata bien dakord njëzëri se masivizimi i kultivimit të hashashit do të ketë pasoja tepër negative për vendin, duke filluar nga largimi i vëmendjes nga bujqësia, efekteve sociale, shtrembërimin që po i bën tregut të punës e deri në fuqizimin e ekonomisë kriminale. Ata nuk ngurrojnë të heqin një paralele mes asaj që ndodhi me Shqipërinë me piramidat në vitin 1997, ndërsa shtojnë se shembuj nga bota, ku më tipikja është Kolumbia, kanë dështuar të tregojnë se orientimi i ekonomisë nga kultivimi i produkteve narkotike ka sjellë rritje të mirëqenies së vendit. Ekspertët bëjnë thirrje që kjo dukuri të marrë fund sa më shpejt, përndryshe pasojat do të jenë të mëdha.