Strategjia e qeverisë për Brexit: “Duke parë, duke bërë”

Theresa May dhe kabineti i saj i ministrave janë duke ndjekur strategjinë “duke parë, duke bërë” për çështjen e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, sipas John McDonnell. Komentet e tij vijnë pas një demaskimi të sekretarit të Biznesit, Greg Clark në televizion, që tha se qeveria i ka thënë gjigantit të makinave japoneze, “Nissan”, se do të përpiqej të kërkonte një marrëveshje për heqjen e tarifave të makinave për sektorin e makinave në Britani me Bashkimin Europian.
Downing Street është gjendur nën një presion të jashtëzakonshëm për të zbuluar kushtet e marrëveshjes me “Nissan”-in pas deklaratës së kompanisë gjatë javës së kaluar se do të vazhdojë të investojë në Britaninë e Madhe edhe pas Brexit, si dhe do të ndërtojë modelin e gjeneratës së ardhshme, Qashaqi X-Trail SUV, në Sunderland.
Por edhe pse McDonnell e ka mirëpritur vendimin e marrë nga “Nissan”-i, ai ka thënë për “The Indipendent” se aspekti më shqetësues i qasjes së ndjekur nga qeveria është se britanikët po përpiqen të ndjekin strategjinë “duke parë, duke bërë”. Mbi të gjitha, ai u shfaq i shqetësuar për faktin se kjo strategji përçohet nëpër studiot televizive, jo në debatet parlamentare.
“Kjo do të thotë se mbeten shumë pyetje të tjera pa përgjigje dhe kjo e vendos ekonominë britanike në pozicionin e të mbeturit peng i fatit, në vend që të jetë përgjegjëse dhe të marrë vendime për vetë të ardhmen e saj”, shtoi ai. “Kjo do të thotë gjithashtu se punonjësit do të jenë të shqetësuar gjatë këtyre Krishtlindjeve për të ardhurat e tyre, kur në fakt nuk do të duhet të ishin nëse qeveria do të tregohej e sinqertë me ta. Ka ardhur koha që të pranojnë se në të vërtetë nuk kanë asnjë plan për Brexit dhe të fillojnë të konsultohen me njëri-tjerin në mënyrë që të gjithë të mund të qartësohemi dhe të mos jemi më kaq të hutuar për të ardhmen e vendit tonë”.
Ish-lideri i laburistëve, Ed Miliband komentoi për këtë çështje në Twitter duke thënë: “Qeveria thotë se ‘Nissan’-i duhet ta njohë pa dyshim planin e Brexit, por Parlamenti mund nuk ta votojë atë për shkak të fshehtësisë që e rrethon atë. Ky është një pozicion i patolerueshëm”.
Teksa fliste për emisionin e Andrew Marr në “BBC”, Clark tha: Ajo që thashë është që objektivat tanë do të jenë të sigurohemi që të vazhdojmë të kemi akses të pandërprerë në tregjet e Bashkimit Europian – dhe anasjelltas – pa tarifa shtesë dhe pa ndalesa burokratike. Kjo është mënyra se si do t’i trajtojmë negociatat e ardhshme.
“Për sa i përklet prodhuesve kontinentalë europianë të makinave, ata eksportojnë shumë drejt nesh, ne eksportojmë shumë drejt tyre dhe komponentët tanë reciprokojnë vazhdimisht para-mbrapa. Në rast se negociatat drejtohen në një mënyrë serioze, konstruktive dhe të civilizuar, atëherë do të ketë shumë për të përfituar nga të gjitha palët”, tha Clark.
“Pata mundësinë të siguroj ‘Nissan’-in – së bashku me shumë prodhues të tjerë – se kjo është mënyra se si do të trajtojmë diskutimin”. Megjithatë, Clark nuk shtjelloi më tej mënyrën se si ka ndërmend të ruajë marrëdhënien e tregtisë së lirë me Bashkimin Europian – diçka që i përngjan shumë tregut të përbashkët – veçanërisht në një kohë kur kryeministrja po përpiqet të reduktojë në mënyrë drastike nivelin e emigracionit drejt Bashkimit Europian.
Pas intervistës së sekretarit të Biznesit, laburistët vazhdonin të pyesnin veten nëse ka apo jo “elemente financiare” në marrëveshje me kompaninë, pas spekulimeve të shumta që e përshkruanin marrëveshjen e “Nissan”-it si diçka tepër e bukur për të qenë e vërtetë.
Duke u shfaqur pak momente pas Clarkut ditën e dielë, Keir Starmer, sekretar i Brexit, sulmoi ashpër mungesën e transparencës së qeverisë dhe kërkoi menjëherë publikimin e korrespondencës ndërmjet sekretarit të Biznesit dhe kompanisë së makinave japoneze.
Por kur iu tregua shfaqja e Clarkut, ai u duk qartazi tepër i irrituar, duke shtuar: “Ta mësosh këtë përmes një interviste në televizion, është mënyra më e gabuar për të nisur negociatat”. Starmer shtoi gjithashtu se kishte ndërmend të kërkonte llogari dhe të detyronte ministrat të nxjerrin të gjitha garancitë që mund t’i kenë ofruar prodhuesit të makinave.
“Ata thonë se nuk janë duke u shkëmbyer para me duar… Për këtë nuk jam i sigurt. Na duhet të zbulojmë të vërtetën dhe këtë çështje do të përpiqem ta ngre në Parlament sa më parë sepse mendoj se është diçka e rëndësishme, e cila duhet të diskutohet publikisht”.