Skënderbeu akuzon Partizanin: Organizimi, dështim!

Klubi i futbollit Skënderbeu reagon në lidhje me ngjarjet e ndodhura në “Elbasan Arena” gjatë sfidës së javës së 9 të Kategorisë Superiore. Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare, klubi korçar e drejton gishtin e akuzës ndaj klubit të Partizanit, duke e cilësuar dështim aspektin organizativ, që sipas Skënderbeut ka pasoja morale, materiale dhe administrative. Fillimisht, theksohet se pasojat morale përfshijnë drejtues, lojtarë e tifozë të skuadrës korçare, por edhe ndjekësit e kësaj sfide nëpërmjet televizorit. Skënderbeu shkon edhe më tej, duke nënvizuar se gjuha jo etike është përdorur ekskluzivisht nga tribuna VIP e stadiumit të Elbasanit. Në vijim të deklaratës, Skënderbeu radhit faktet e dëmeve materiale duke nisur nga sulmi i tifozëve në Elbasan, me pretendimin se ndryshe nga tifozët e Partizanit, ata të Skënderbeut nuk u shoqëruan me kordonë policie.
Klubi bardhekuq qartëson se acarimi i tifozëve korçarë ndodhi pikërisht për këtë arsye. Një tjetër pikë ku ndalet Skënderbeu është pasojat administrative që sipas korçarëve shkaktoi organizimi i keq. Në komunikatë thuhet se klubi kundërshtar tentoi ta fitonte ndeshjen me çdo mënyrë. “Nuk janë drejtuesit ata që luajnë, as tifozët, por futbollistët në fushën e blertë. Një presion shumë i madh për gjyqtarët e ndeshjes, të cilët nuk arritën të nxirrnin kartonin e dytë të kuq për lojtarin e ekipit kundërshtar”, theksohet mes të tjerash. Në fund, klubi i Skënderbeut kërkon që institucionet përgjegjëse të marrin masa dhe klubet të ndërgjegjësohen për të organizuar ndeshje normale futbolli.