Murinjo i padëshiruar

Tifozët e Manchester Unitedin kanë humbur durimin në Jose Murinjon. Pas barazimit 0:0 me Burnley, tifozët e “Djajve të Kuq” nuk e duan më Murinjon në “Old Trafford”, shkruajnë mediat britanike. Sipas mediave britanike, tifozët e “Djajve të Kuq” kanë bërë gati një baner “Jashtë Murinjo”, i cili pritet të fluturojë mbi “Old Trafford” në ndeshjen e radhës. Grupi, i cili thërrasin “Largojeni Murinjon”, ka kërkuar për donacione për banerin pas ndeshjes që United e zhvilloi pa gola të shtunën kundër Burnley. Tifozët mendojnë se ky United është më i dobët se Unitedi i Van Gaal e David Moyes.
Jose Murinjo mbetet Jose Murinjo, një trajner pragmatist, i suksesshëm, por shpeshherë edhe polemik. Sezoni i ri ka nxjerrë në pah anën e errët të karakterit të luzitanit që nuk po kalon momente të lumtura në stolin e Manchester United. Arbitri Mark Clattenburg e detyroi trajnerin portugez ta ndiqte pjesën e dytë të ndeshjes kundër Burnley në tribunë  pas kontestimit të tij për një episod të dyshimtë për 11-metërsh. E pabesueshme, kjo është hera e 13 në karrierën e tij që Murinjo largohet nga pankina pasi episode të tilla nuk kanë munguar edhe te Porto, Chelsea, Inter Milan e Real Madrid. Por telashet nuk përfundojnë me kaq, pasi Mou do të jetë në qendër të vëmendjes edhe nga Komisioni Disiplinor i Federatës angleze, pasi ky është një rast i përsëritur. Portugezi bëri komente të pavenda edhe në përfundim të ndeshjes kundër Liverpool. Murinjo është dënuar për herë të parë në Angli në janarin e vitit 2005 me 5 mijë pound.
Në atë periudhë ai akuzoi kolegun e tij, Alex Ferguson se kishte influencuar te arbitri. Gjatë muajve pasardhës u dënua me dy ndeshje pezullim për shkak të komenteve kundër arbitrit të ndeshjes Chelsea-Barcelona, duke e akuzuar për njëanshmëri gjykimi. Legjendat thonë se ai fshihej në lavanderinë e stadiumit për t’u dhënë këshillat e tij lojtarëve. Te Reali i Madridit, Murinjo është pezulluar me 5 ndeshje, ndërsa nuk i ka shpëtuar dorës së rëndë të disiplinës edhe në Itali kur drejtonte Interin. Një histori që vazhdon të përsëritet. “Special One” nuk arrin të gjejë paqe. Ai ka diçka për të gjithë dhe është përherë ai që arrin të tërheqë polemikat si një magnet. Pak ditë më parë në një intervistë të gjatë, portugezi u ankua për situatën private aspak komode, i detyruar të jetojë në një hotel dhe larg familjes. Ky moment ngjalli reagimin e shumë tifozëve që nuk u pëlqeu aspak deklarata e luzitanit, duke i kujtuar madje pagën e majme që ai përfiton në stolin e Manchester United.
Ndërkohë, Murinjo i ka dhënë fund vuajtjeve të mesfushorit gjerman, Bastian Schweinsteiger. Murinjo nuk besonte në cilësitë e gjermanit që nga koha kur erdhi në stolin e “Djajve të Kuq”, të cilin e dërgoi të stërvitet me ekipin e dytë të Unitedit. Por, pas disa muajsh vuajtje, duket se ditë të mirë po vijnë për Schweinsteigerin. Ai është stërvitur normalisht gjatë ditës së djeshme me pjesën tjetër të ekipit dhe duke parë formën e dobët që po kalojnë “Djajtë e Kuq”, Murinjo mund t’i japë minuta ish-mesfushorit të Bayernit.