Llullaku i papërmbajtshëm

Azdren Llullaku mbetet protagonist në Ligën e Parë rumune. Sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi një tjetër dygolësh për Gaz Metanin, duke e ndihmuar skuadrën e tij të fitonte 3-1 në transfertën me Targu Mures.
Llullaku zhbllokoi sfidën vetëm pas 7 minutave lojë, pas një lëvizje të bukur në zonën kundërshtare dhe festoi me simbolin e shqiponjës me duar.
Kuqeziu dyfishoi pasi kishte kaluar gjysmë ore lojë dhe mbylli virtualisht sfidën. Për 28-vjeçarin e lindur në Istog, ky ishte dogolëshi i tretë sezonal. Azdren Llullaku ngjitet në kuotën e 12 golave të realizuar dhe kryeson renditjen e golashënuesve më të mirë në elitën e futbollit rumun.
Vendasit provuan të ktheheshin në lojë dhe shkurtuan shifrat me Morar, por Eric në të 64-ën realizoi edhe golin e tretë për Gaz Metanin, që regjistroi fitoren e tretë në katër ndeshjet e fundit të kampionatit.
Me këtë sukses, ekipi nga Mediashi, ngjitet në vendin e tretë të renditjes së Ligës së Parë, në kuotën e 23 pikëve dhe mbetet në zonën e skuadrave që në raundin e dytë të kampionatit do të garojnë për titullin kampion të Rumanisë dhe për një vend në kupat e Europës.