Himara në protestë, ndërhyn Ministria e Jashtme greke

Banorët e Himarës kanë protestuar dje ashpër kundër planit të ri urbanistik që parashikon prishjen e mbi 20 banesave. Banorët  e këtyre banesave shprehen të vendosur për të mos lejuar shembjen e banesave të tyre.
Dy ditë më parë, edhe Athina zyrtare shprehu shqetësim për planin urbanistik në Himarë, duke e cilësuar të papranueshme shembjen e banesave të minoritarëve grekë në Shqipëri, ndërsa Tirana zyrtare hesht!
Përmes një deklarate të publikuar në faqen e internetit, Ministria e Jashtme greke e quan të papranueshme këtë veprim, ndërsa paralajmëron Tiranën zyrtare se respektimi i të drejtave të njeriut është kusht për çeljen e negociatave.
“Po ndjekim me shqetësim të madh atë që po ndodh në Himarë, ku informohemi se 19 familjeve të minoritetit grek u është dhënë 5 ditë afat që të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi do të shemben. Autoritetet shqiptare duhet të veprojnë për të anuluar shembjet e banesave. Mbrojtja e të drejtave të pronësisë veçanërisht”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.
Shembja e disa banesave në Himarë është parashikuar në kuadër të zbatimit të planit rregullues të Bashkisë së Himarës, për rikonceptimin e vijës bregdetare, e cila nis nga shëtitorja tashmë e përfunduar, por duket se pushteti nxiton, ndërsa banorët e Himarës janë të pambrojtur ligjërisht dhe ndaj kanë vendosur ta kundërshtojnë projektin, i cili mund t’i shembë shtëpitë dhe t’i lërë rrugëve të gjykatave që edhe ky pushtet i trajton si të korruptuara.
Protestuesit duken të vendosur që të mos dorëzohen ndaj këtij pushteti që ata e quajnë të korruptuar në Himarë dhe qartësojnë që nuk janë kundër projekteve të zhvillimit, por ata thonë se duan që së pari të marrin çertifikatat e pronësisë të shtëpive dhe pronave të tyre shekullore, pastaj të negociohet sipas standardeve europiane dhe të realizohen projektet e qeverisë qendrore!