Bekim Balaj shpërthen me 2 gola, shkëlqen edhe Roshi

Në Premier Leaguen ruse është momenti tij. Vijon forma fantastike e Bekim Balajt, i cili është shndërruar në njeriun e momentit jo vetëm te Terek Grozny, por në të gjithë kampionatin rus. Sulmuesi shqiptar shpërtheu në ndeshjen e javës së 12-të ndaj Ural-it me një dygolësh, duke udhëhequr Terek Grozny-in drejt një suksesi të thellë me shifrat 4-1 në transfertë. Por te skuadra nga Çeçenia nuk po kalon një formë shumë të mirë vetëm Balaj, por edhe futbollisti tjetër i kombëtares kuqezi Odise Roshi. Ky i fundit edhe pse nuk shënoi në takimin ndaj Uralit kishte një meritë të jashëzakonshme në dy nga 4 golat e Terekut. Avantazhit provizor të vendasve me Chanturian iu kundërpërgjigj, Balaj në fundin e pjesës së parë. Këmbëngulja e sulmuesit shqiptar u shpërblye, pasi Balaj ushtroi presion ndaj portierit vendas Arapov, duke e detyruar këtë të fundit t’ia përplaste topin në këmbë bomberit shkodran për golin e barazimit.
Në minutën e 56-të ishte një gol i gjithi shqiptar ai që i dha avantazhin formacionit nga Çeçenia. Roshi me një shpërthim të tijin në të djathtë të sulmit i serviri Balajt një gol të thjeshtë, me sulmuesin që e kishte një lojë fëmijësh dërgimin e topit në rrjetë. Goli i 6-t për Bekim Balajn në këtë sezon të Premier Leagues ruse. Balaj mund të kishte shënuar edhe golin e tretë personal në minutën e 60-të, por Dinga i parapriu kuqeziut pas një tjetër aksioni personal të Roshit duke shënuar autogol. Në fund kishte festë edhe për lojtarin që zëvendësoi Balajn në minutën e 83-të, sulmuesin nga Senegali Mbengue, i cili fiksoi shifrat përfundimtare në 1-4 me Terek Grozny-in, që falë këtij suksesi ndaj Uralit barazoi Cska-në e Moskës në kuotën e 21 pikëve në tabelën e klasifikimit.