Arlind Ajeti gati për debutimin te Torino

E ëndërron e pret me padurim dhe tashmë edhe mund ta imagjinojë. Te Torino po vjen momenti i Arlind Ajetit. Pas shumë vështirësive mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka arritur formën e tij optimale dhe në Friuli ndaj Udineses, ish-lojtari i Frosinones mund të bëjë debutimin e tij në Serinë A me skuadrën Granata. Janë të bindur për këtë mediat që qëndrojnë pranë klubit të Torinos. Leandro Caston vazhdon të jetë i dëmtuar, ndërsa Rossettini pas ndeshjes jo të mirë që zhvilloi ndaj Interit nuk bind plotësisht dhe përballë Udineses trajneri serb, Sinisa Mihajloviç mund të hedhë në fushë Ajetin. 23-vjeçari, i cili ka disa javë që e ka hedhur pas shpatullave dëmtimin që pësoi në fillim të sezonit, është stërvitur mirë dhe me përkushtim gjatë kësaj periudhe dhe ndoshta po vjen momenti i tij. Nëse nuk gjen hapësira te Torino me siguri që Ajeti do të largohet në merkaton e janarit, pasi Pescara ta presë krahëhapur dhe t’i dorëzojë çelësat e mbrojtjes, por ish-lojtari i Baselit dëshiron të tregojë vlerat e tij te skuadra Granata dhe për momentin mendon vetëm për Torinon.
Edhe te Frosinone sezonin e kaluar Ajeti qëndroi fillimisht në stol, por më pas falë paraqitjeve të tij të shkëlqyera ai u shndërrua në një titullar të padiskutueshëm të skuadrës nga krahina e Lazios, duke përmirësuar ndjeshëm repartin mbrojtës të Frosinones. Të njëjtën gjë, 23-vjeçari dëshiron të bëjë edhe te Torino, ku synon të fitojë formacionin. Në miqësoret e verës Ajeti ishte një pikë referimi në prapavijën e skuadrës së Mihajloviç, por më pas ai dëmtim muskular që e mbajti jashtë fushave për disa javë u kthye në një problem për të. Ajeti tashmë do të jetë gati edhe për Shqipërinë në sfidën e muajit nëntor ndaj Izrealit, por përpara se të japë kontributin e tij të vyer te kuqezinjtë, shtatlarti shqiptar dëshiron të luajë në Serinë A me Torinon duke filluar që nga ndeshja e radhës ndaj Udineses.