Mziu-Sorin Caian: Angazhim maksimal që Kamza të ketë 24 orë ujë

Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, kishte një takim në zyrën e tij konsulentin e projektit të ujësjellësit të qytetit, z. Sorin Caian. Biseda ndërmjet kryebashkiakut Mziu dhe z. Caian u përqendrua tek ecuria e deritanishme e projektit, si dhe tek plani i biznesit për një periudhë nga 5 deri në 30-vjeçare. Për këtë, konsulenti dha vlerësimet e tij, duke u shprehur se kjo bisedë ishte teknike, duke e parë nga ana teknike planin e biznesit, ku do të shpjegonte opsionet para kryetarit të Bashkisë dhe drejtorit të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve dhe më pas do të merreshin nga ana e tyre vendimet për të ardhmen.
Ndër të tjera, z. Caian vlerësoi se edhe pse është fillimi i zbatimit të projektit, situata në të ardhmen do të shkojë drejt perfektes, duke parë edhe ecurinë e deritanishme, e cila është më e mirë se në qytetet e tjera. Duhet thënë se ky është një projekt strategjik për qytetin dhe banorët e Kamzës. Kjo, për vetë faktin se nëpërmjet realizmit të këtij projekti u ofrohet qytetarëve një shërbim bashkëkohor i furnizimit me ujë të pijshëm, sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Duke falënderuar për ardhjen në këtë takim, kryebashkiaku Mziu i shprehu konsulentit përgëzimet e tij për punën që është bërë dhe po bëhet, ndërkohë që propozoi që takime të tilla të jenë më të shpeshta.
Në këtë aspekt, kreu i Bashkisë shprehu edhe një herë gatishmërinë e tij për angazhim maksimal për përfundimin sa më shpejt të projektit. Gjithashtu, ai i bëri me dije zotit Caian se mirëpret çdo ide apo propozim në lidhje me projektin, zgjerimin e tij në të ardhmen. Mes të tjerash në bisedë u fol edhe për historikun e projektit. Kryebashkiaku Mziu e njohu konsulentin që me fillimet e projektit, me studimet e fizibilitetit, me hartimin e projekt-ideve, me bashkëpunimet e shumta, sidomos me organizma të huaj, siç është KfW etj. Ai shtoi gjithashtu se qëllimi i gjithë kësaj pune është që qytetarëve të Kamzës t’u ofrohet një shërbim model i furnizimit me ujë të pijshëm, me cilësi të lartë dhe 24 orë në ditë.