Sot në orën 18: 00 protestë në Tiranë kundër plehrave

Aleanca Kundër Importit të Plehrave do të zhvillojë një protestë sot në orën 18:00 te Piramida në Tiranë. AKIP bën të ditur nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë në rrjetet sociale se në orën 18:00 do të zhvillohet një Koncert-Proteste së bashku me artistet Elina Duni, Eda Zari dhe miqtë e tyre. Drejtuesit e Aleancës u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në këtë protestë për të kundërshtuar me forcë importin e plehrave nga jashtë.
Përfaqësuesit e AKIP paralajmëruan se nuk do të ketë asnjë negociatë me qeverinë për importin e mbetjeve. “Nuk ka asnjë amendament, i cili është i pranueshëm në projektligjin e Shalsit. Ka vetëm një kërkesë të qartë dhe të vendosur: Jo importit të plehrave. Ditën e dielë, ora 18:00 do të jemi sërisht në shesh te Piramida për t’ua bërë edhe më të qartë politikanëve shqiptarë se ne nuk negociojmë me shëndetin tonë”, thuhet në njoftimin e AKIP.
AKIP është kundër importit të mbetjeve dhe synon një Shqipëri më të pastër për të gjithë. Në zbatim të këtij qëndrimi, AKIP vazhdon punën për të mos lejuar importin e mbetjeve në Shqipëri si dhe për të monitoruar punën për pastrimin e Shqipërisë dhe mbrojtjen e mjedisit, në zbatim të objektivave të saj përkatës afatshkurtër dhe afatgjatë.
AKIP njofton se ditët e fundit dhe në ditët në vijim ka vazhduar dhe do të vazhdojë të zbatojë aksionin ligjor për të mundësuar që Ligji i Mbetjeve të mos miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Në takimet e ditëve të fundit me komisionet dhe grupet parlamentare, AKIP ka qartësuar qëndrimin e saj kundër importit të mbetjeve në Shqipëri. I njëjti qëndrim do të vazhdojë të shprehet edhe në takimet e ditëve në vijim me strukturat e tjera të Kuvendit të Shqipërisë e më gjerë.
Më tej, AKIP njofton se, krahas sa më sipër, do të ndjekë në vazhdimësi çdo rrugë ligjore e institucionale që parashikon Kushtetuta e Shqipërisë dhe legjslacioni shqiptar që importimi i mbetjeve të ndalohet në Shqipëri sot e në të ardhmen, në mbrojtje të mjedisit e të shëndetit të brezave të sotëm e të ardhshëm.
AKIP njofton se do të ndjekë, në vazhdimësi dhe paralelisht me sa më sipër, monitorimin e zbatimit të detyrimeve ligjore të organeve përkatëse shtetërore për pastrimin e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e mjedisit. Në përputhje me këtë objektiv, monitorimi i ndarjes në burim të mbetjeve vendase për riciklim, i përdorimit i ‘landfill’ dhe i mënyrave të lejuara për asgjësimin e mbetjeve, si dhe monitorimi i plotësimit të standardeve mjedisore nga industria ricikluese në vend janë prioritet i AKIP. AKIP njofton se do të jetë konsekuent në këtë drejtim, duke përdorur çdo hap ligjor të mundshëm dhe institucionet përkatëse, madje edhe duke investuar anëtarësinë dhe strukturat e saj për një qëndrim aktiv në organet përkatëse kolegjiale ku lejohet pjesëmarrja e publikut.
AKIP njofton se, paralelisht me aksionin ligjor, do të vazhdojë aksionin e reagimit publik si një mjet efektiv në zbatim të objektivave dhe prioriteteve të AKIP kundër importit të mbetjeve dhe në mbrojtje të mjedisit. Sipas Andi Tepelenës, tjetër aktivist i AKIP, sipas sondazheve, 96% e të pyeturve, janë kundër ngritjes se HEC-ve dhe kundër importit të plehrave.

R.POLISI