Prokurori me djalin zëvendësministër persekuton protestuesin

Në Gjykatën e Tiranës vazhdon gjyqi i montuar politikisht kundër tre aktivistëve të PD që protestuan në muajin shkurt kundër betonizimit të Parkut të Liqenit Artificial nga Bashkia. Njëri nga këta protestues që po gjykohet pas padisë së bërë nga qeveria është edhe Saimir Rrahmani. Ai akuzohet për “shkatërrim të pronës private të firmës “Kaseli”, ndërsa seanca gjyqësore e radhës e ditës së enjte u shty për një ditë tjetër.
Ndonëse për akuzat e ngritura ndaj Rrahmanit dhe dy protestuesve të tjerë nuk ka asnjë provë, seancat gjyqësore vazhdojnë për shkak të presioneve nga lart. Gjatë ditës së protestës, Rrahmani nuk është afruar fare tek makineritë e firmës “Kaseli” dhe ky fakt tregohet edhe nga pamjet filmike të shfaqura në televizione të ndryshme. Saimiri dhe të akuzuarit e tjerë janë dhunuar barbarisht gjatë protestës nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake vetëm pse po protestonin kundër betonizimit të Parkut të Liqenit Artificial.
Gjatë protestave disa protestues përfunduan në spital si pasojë e dhunës policore. Ndërsa mjaft të tjerë u arrestuan nga policia dhe u dhunuan barbarisht edhe në furgonët e policisë. Ata u mbajtën për më shumë se 24 orë në birucat e komisariateve të Policisë së Tiranës dhe më pas u liruan me urdhër të Prokurorisë për arrestim të paligjshëm.
Në fakt, procesi ndaj Saimir Rrahmanit ka nisur për motive krejtësisht politike. Rrahmani publikoi një shkrim në një gazetë kundër kryeministrit Rama dhe për këtë ndaj tij nisën sulmet politike, duke i bashkangjitur edhe pjesëmarrjen në protestat tek Liqeni Artificial.
“Gjyqi, i cili më bëhet për shkak të një kritike, që unë i bëra në një gazetë kryeministrit Rama. Mjaftoi kjo për t’u targuar nga qeveria e krimit se më njihnin si organizues të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, për të protestuar kundër importit të armëve kimike nga Siria në Shqipëri. Dhe si anëtar i Partisë Demokratike dhe aktivist i FRPD, menjëherë pas disa ditëve mjaftoi pjesëmarrja në protestën kundër betonizimit të Parkut të Liqenit Artificial si shkak për të më shpallur në kërkim dhe për të më ndaluar nga policia, duke më mbajtur në dhomat e paraburgimit për 72 orë rrjesht. Prokuror më kishin caktuar ish-kryehetuesin e regjimit komunist, Bilbil Mete dhe njëkohësisht babai i zëvendësministrit të Ekonomisë, Ervin Mete i “G99”. Ai kërkoi si masë sigurie dënimin tim me një muaj burg dhe pse nuk dispononte prova të mjaftueshme për akuzën që më bënte, vendim ky që u rrëzua nga gjykatësi, duke u lënë detyrim paraqitjeje. I kërkoj Gjykatës gjykim të shkurtuar dhe mbylljen e çështjes, pasi Prokuroria s’ka prova për akuzën e ngritur ndaj meje, por është vetëm një sulm politik”, shprehet Rrahmani.
Familja e Saimir Rrahmanit ka qenë që në fillimet e saj të lëvizjes demokratike. Babai i Saimirit, Kadri Rrahmani mjek në Kukës ka qenë një nga krijuesit e degës së PD në Kukës dhe komisionerët e parë të zgjedhjeve. Edhe sot kjo familje vazhdon të përndiqet nga qeveria e “Rilindjes” për shkak të bindjeve politike.