Një histori rrënqethëse për të birin e Kristaqit

Presidenti dekoroi dje me titull “Nderi i Kombit”  klerikun shenjtor të bektashinjve në Malësinë e Gjakovës, Dervish Luzha. Presidenti i është kthyer historisë për të vënë në piedestal vlerat e saj. Duhet ta vazhdojë atë me emra, data dhe ngjarje të tjera të mëdha. Këta dekorime janë tmerri i pinjollëve të diktaturës sepse u kujtojnë krimet e kryera të etërve për të cilat nuk kanë kërkuar ende falje.
Janë histori masakrash të regjimit komunist. Të ngjashme me atë të 82 nacionalistëve të Ballit Kombëtar në Lushnje, të cilët monstra në qeverisje i përdhosi duke glorifikuar vrasësin e tyre, Mehmet Shehu.
Klerikët si Dervish Luzha janë një thesar i vlerave morale dhe kujtesës sonë. Ata u përballën me djallin parti-shtet dhe nuk u nënshtruan. U perskeutuan, u vranë, u torturuan, por kurrë nuk u harruan. Dervish Luzha ishte një prej tyre ashtu si Dom Lazar Shantoja, historia e mëposhtme e të cilit është vërtet rrënqethëse.
“…mbas arrestimit në Sheldi e mbajtën disa ditë në hetusi të Shkodrës, dhe mbasi e mjekunen në Spitalin e Burgut e nisën për Tiranë edhe ku e ekzekutunen me datën 5 mars 1945. Asht prifti i parë i pushkatuem këtu. Ba me mujtë me përshkrue hollsisht shka komunistat kanë ba mbi trupin e Don Lazër Shantojës, kam frigë se do të fillojnë dyshimet për ngjarjet e përshkrueme në libër, mbasi edhe sikur të mbylli librin aty ku mbyllet kjo histori e përbindshme e  “njerzve të shekullit XX”, kurgja ma ndej nuk asht ma e shëmtueme se vepra e  fanatikve komunista, demek “shqiptar”, e bame kundër një Meshtari katolik.
Mbasi i patën pre kambët dhe i patën thye edhe parakrahët, e lanë pas asnjë mjekim. I shtrimë në një dysheme çimentoje ushqehej me gojë, dhe kafshonte ndonjë copë buke të thatë, që xhullijt i hidhnin prej sportelit. Pinte ujë në një tas që ndodhej mbas derës. Lëvizte kalas nëpër dhomë. Nuk hynte asnjëri, mbasi qelbej nga nevojat e kryeme mbrenda dhomës.
Deri këtu ndokush nuk shef ndonjë gja të jashtëzakonshme…!
Një ditë thirrën nanën e tij dhe i thanë: “Hajde e takoje djalin!”.
Nanë shkreta hyni shend e verë me e pa djalin…hyni n’at dhomë që ma mirë një ditë ma parë të kishte hi në vorr. E pau e i tha katilave:
Ma vritni…banje këtë mirësi…e mos ma leni djalin gjallë me vuejtë kështu… aman ma vritni sa më parë …!”
A ka nanë në botë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet?
Kjo asht nana e Don Lazrit …!
Deri këtu i kanë çue nanat shkodrane, katilat komunista.
Po a vetëm nanat shkodrane? – besoj se Shqipnia ka qinda këso nanash!”

Marrë nga libri “Çinarët” / At Kondrrad Gjolaj