Mou: Më mirë 1 humbje 4-0 se sa 4 humbje 1-0

Nga mbrojtja në kundërsulm, është një skemë që Jose Murinjo di ta aplikojë shumë mirë në filozofinë e tij të jetës dhe profesionit. Trajneri i Manchester United i kthehet asaj disfate të hidhur 4-0 në fushën e Chelsea-t, por këtë herë nuk kërkon të krijojë polemika, por ta transformojë në energji pozitive. “Në 7 ndeshjet e fundit kemi humbur vetëm një dhe është më mirë të mundesh në një ndeshje 4-0 se sa në 4 ndeshje nga 1-0. Ecuria jonë nuk është edhe aq e keqe”, u shpreh Murinjo.
Në vijim ai ndalet gjatë te analiza që i bën momentit të Manchester United që këtë mesjavë u rikthye te suksesi në derbi ndaj Manchester City-t. “Humbëm dy pikë ndaj Stoke, një nga ndeshjet më të mira të sezonit për ne. Jemi një skuadër në ndërtim. Duhet kohë sepse nuk mjaftojnë 4 muaj për të zgjidhur gjithë problemet. Në këtë moment duhet të mendojmë për çdo ndeshje si një finale dhe ajo ndaj Burnley do të jetë shumë e vështirë për ne. Fakti që luanim derbin pas disfatës ndaj Chelsea-t e bënte edhe më të vështirë atë sfidë, por lojtarët ia dolën mbanë. Ishte shumë e rëndësishme kjo fitore që riktheu besimin te tifozët tanë”, tha ai.