“Mos ma prek Valbonën”! Artistët koncert protestë kundër HEC-eve

Këngëtaret Eda Zari dhe Elina Duni mbajtën një koncert protestë në Valbonë, kundër ndërtimit atje të hidrocentraleve. Koncert protesta u zhvillua dje në orën 14:00 me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve nga Tropoja dhe zonave përreth.
Dy këngëtaret, që jetojnë në Gjermani dhe Zvicër u shprehën para mediave për të prezantuar maratonën artistike, një protestë me art kundër shkatërrimit të natyrës dhe në mbrojtje të ajrit, ujit e jetës, siç thanë ato. Duke theksuar se është një nismë vullnetare e qytetare, e pavarur nga çdo axhendë politike, këngëtaret e njohura të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare njoftuan përtej kundërshtimit të HEC-ve, edhe kundër importit të plehrave në Shqipëri, ndërsa në tryezën e konferencës, përkrah tyre qenë aktivistët e Aleancës Kundër Importit të Plehrave dhe banorë të luginës së Valbonës.
“E nisëm këtë për të ndërgjegjësuar dhe për të ngritur pikëpyetje. Nuk kemi lidhje me politikën e i ftojmë të gjithë të na bashkohen. Kjo është një nismë, e cila kërkon të sjellë mesazhin, “jo HEC-ve në Valbonë, lëre lumin të lirë dhe kundër importit të mbetjeve në Shqipëri’”, tha artistja Eda Zari. Është një nismë pa bordura apo ngjyrosje politike, është një maratonë artistike që mbështet, sensibilizon dhe sjell kurajën civile”, tha këngëtarja Eda Zari. Ndërsa shumë intelektualë e artistë si Dastid Miluka, Elton Deda, Etleva Nallbani, Sokol Çunga, Edon Qesari, etj. prej ditësh janë bërë pjesë e një videoje mbështetëse. Zari dhe Duni, dy këngëtaret e suksesshme thanë dje para mediave, se shumë artistë të tjerë nuk u janë përgjigjur nismës së tyre, edhe pse theksuan se nuk mbështetin asnjë axhendë politike.
“Ne i kuptojmë problematikat e presionet, i kuptojmë të gjitha, edhe ngërçet, por natyra ka nevojë për zërin tonë, jo për heshtjen tonë”, tha Zari. Ndërkaq, Duni teksa vuri në dukje se, “e kam mbështetjen e prindërve” (ajo është vajza e Spiro Dunit dhe e Besa Myftiut), tha se i kupton kolegët, por se në demokraci sekush është i lirë të japë mendimin e vet dhe se duhet krijuar një lloj ndarje. “Unë i këndoj jashtë natyrës, u këndoj bukurive shqiptare dhe shumë të huaj më thonë më pas duam të vijmë në Shqipëri. Çfarë t’u them unë atyre, ejani se po ndërtojmë hidrocentrale në luginën e Valbonës, apo ejani se po sjellim plehra në Shqipëri?”, tha Duni.  “Propaganda dhe arti janë dy çështje të kundërta”, shpjegoi aktivistja Catherine Bohne. “Propaganda jep përgjigje, ndërsa arti të ndihmon të ngresh pyetje”, tha ajo para mediave.