Konspiracion me manipulimet

David Smith, “The Guardian”

Demokratë të vdekur që pritet të votojnë më 8 nëntor, sondazhe të manipuluara dhe një media në konflikt të hapur interesi që refuzon fuqimisht të raportojë fitoren e ardhshme të Donald Trumpit. Nga ana tjetër, Paul Ryan që godet pas shpine fushatën disamujore që të sigurohet që Hillary Clinton të zgjidhet presidente. Donald Trump dhe mbështetësit e tij vazhdojnë të shtojnë elementë në listën e tyre të taktikave të dyshimta që po përdoren për ta mbajtur kandidatin republikan sa më larg Shtëpisë së Bardhë.
Me ditën e zgjedhjeve vetëm 9 ditë larg, këto pretendime janë në qendër të vëmendjes. Si çdo teori konspiracioni, ka padyshim elemente të vërteta brenda. Sistemi zgjedhor i vendit është vërtet me të meta dhe i vjetëruar dhe nuk është e pazakontë që persona të vdekur rishtazi të shfaqen në listat e votimit. Edhe e-mail-et e John Podestës duken patjetër të dyshimtë. Hakerët kanë demostruar se janë të aftë të ndërhyjnë në sistemin elektronik të votimit.
Pavarësisht dyshimeve të shumta për fitoren e mundshme të Donald Trump në garën presidenciale, mbështetësit e tij nuk e lënë të heqë dorë nga ëndrra për Shtëpinë e Bardhë. Të gjithë 18 personat e intervistuar nga “The Guardian” gjatë takimit elektoral të Donald Trumpit në shtetin ku beteja pritet të jetë më e fortë, Ohio, thanë se bindja e krijuar që Trump të humbë në këtë shtet nuk është e saktë. Ata madje u shfaqën më të bindur se vetë kandidati republikan duke thënë se sondazhet dhe mediat nuk janë të besueshme dhe për këtë arsye Donald Trump nuk duhet të humbë shpresat e të dorëzohet.
Trump, duke u lëkundur mes shqetësimit dhe shpresës, tha: “Kam thënë vazhdimisht ‘nëse fitoj’ sepse dua të tregohem i sjellshëm, por njerëzit tani po zemërohen me mua, kështu do të fillojmë të themi ‘kur të fitojmë zgjedhjet e 8 nëntorit’”. Por gjasat nuk janë shumë të mira në favorin e tij. Teksa Hillary Clinton vazhdon të marrë rezultate pozitive nëpër sondazhe të ndryshme, madje edhe shenja të mira nga votimet paraprake, Trumpi i ka ndërprerë të gjitha eventet formale dhe ato të mbledhjes së fondeve për Partinë Republikane.
Ai thuhet se i ka frenuar planet e tranzicionit dhe ka gjetur pak kohë nga eventet e fushatës për të hapur hotelin e tij të ri në Washington. Kohët e fundit Donald Turmp i ka pyetur hapur mbështetësit e tij nëse ishin të kënaqur që ai kishte kandiduar për president, duke shtuar: “Do jua tregoj gjatë mbasdites së 8 nëntorit se sa i kënaqur që jam”.
Eventi elektoral i kandidatit republikan në një kompleks sportiv në Gjenevë – eventi i tij i tretë në Ohio – tërhoqi mbi 7 mijë mbështetës të zonës, por vendi nuk ishte mbushur plot, në krahasim me eventet e tjera që kandidati ka mbajtur gjatë fushatës së tij elektorale. Shumica e mbështetësve, për të mos thënë të gjithë, ishin të bardhë, përfshirë edhe shumë të moshuar. Por ata që morën pjesë në këtë event ishin mbështetës që mbanin në duar pankarta kur shkruhej: “Fute atë në burg!” dhe “Ndërto murin!”, me të njëjtin entuziazëm që i kemi parë edhe në evente të tjera.
Ata aprovonin me kokë kur Donald Trump e përshkruante rivalen e tij në garë si një person të paqendrueshëm dhe bërtisnin të tërbuar kur Trump filloi të tundte në ajër një listë të shpenzimeve të bëra nga Departamenti i Shtetit gjatë kohës kur Hillary Clinton ishte sekretare e Shtetit, përfshirë këtu edhe 79 mijë dollarë të shpenzuara për librat e Obamës, 630 mijë dollarë për t’i bërë më të famshme profilet në Facebook të Departamentit të Shtetit dhe 88 mijë dollarë për të sjellë në Shtetet e Bashkuara tre humoristë nga India.
Turma qeshi me të madhe kur Donald Trump nxori edhe një herë në pah anën e tij artistike duke u tallur me komentet e fundit të zëvendëspresidentit Joe Biden, i cili ka thënë se do të donte ta mundte një herë Trumpin në palestër. “E dinë se çfarë do të bëja me Bidenin? Do të shfryja ajër nga goja, aq do të mjaftonte për ta hedhur në tokë”, tha ai. “E ëndërroj shumë një dyluftim me të sepse do të ishte shumë e thjeshtë. Do të ishte si të ndesheshe me një fëmijë”.
Gjatë fundit të eventit, dy veteranë të luftës në Vietnam parakaluar në mes të turmës me një pankartë gjigante ku shkruhej “Trump/Pence”. “Kjo po që është një pankartë e madhe dhe e bukur”, tha Trump. “Këto po që janë mbështetës”. Më pas, një prej tyre, 68-vjeçari Tom Line, një punëtor ndërtimi i dalë në pension, tha: “Mendoj se Donald Trump do të vazhdojë të luftojë. Mendoj se ai është një burrë që nuk dorëhiqet kurrë. Asnjë prej nesh nuk i beson sondazhet që dalin nëpër media, për shkak të situatës në të cilën ndodhen sot mediat amerikane. Nuk dimë më se kujt t’i besojmë”.
I njëjti këndvështrim ndahej edhe nga këshilltari 57-vjeçar, Wesley Gaul. “Nuk mendoj se kemi parë asnjë shenjë prej tij që të sugjerojë se ka ndërmend të heqë dorë”, tha ai. “Shikojini gjithë këto njerëz këtu! Unë jetoj këtu në këtë zonë dhe shoh çdo ditë pankarta të Donald Trumpit në çdo oborr shtëpie dhe vetëm dy të Hillary Clintonit në një rreze prej 60 kilometrash. Jam i bindur që votimi popullor do t’i befasojë të gjithë”.
Më pas foli 24-vjeçari Devon Coffin, një mekanik i thjeshtë i veshur me një bluzë fyese që i referohej Monica Lewinsky-t. Ai tha: “Trump po mban tri evente elektorale në ditë, shtatë ditë në javë. Kjo do të thotë se nuk ka ndërmend të heqë dorë. Donald Trump ka një mision që do ta çojë deri në fund. Sistemi jonë është i kalbur dhe kjo është mënyra që kemi zgjedhur për ta shëruar atë”.
“Hillary Clinton është një globaliste e korruptuar. Nëse ajo fiton, ne do të marrim vetëm tetë vite të tjera me Barack Obamën, i cili ngacmohet me Rusinë dhe merr para nga xhepat e taksapaguesve si unë, për t’ua dhënë ato njerëzve që nuk duan të punojnë. Unë njoh shumë njerëz që nuk punojnë dhe ata kanë më shumë ushqime se unë në frigorifer”. Po nëse Hillary Clinton fiton? “Nuk kam ndërmend të djeg Shtëpinë e Bardhë sepse e dua përsëri vendin tim”, u përgjigj Coffin. “Kjo nuk do të thotë se do të heqim dorë nga përpjekjet tona për të rimarrë në dorë kontrollin”.
Kishte edhe shumë mbështetës të tjerë që ndanin të njëjtat mendime me Trumpin duke thënë se sondazhet dhe mediat janë të manipuluara kundër tij dhe se sasia e njerëzve që ai mbledh nëpër evente elektorale, të cilat i mban më shpesh se Clintoni, tregojnë bazën e gjerë të mbështetjes që ka në popull. Në muajin maj Donald Trump, teksa fliste për “New York Times”, tha: “Bisedat ballë për ballë janë gjëja më e rëndësishme. Duhet të vish të marrësh pjesë, për të kuptuar bisedat ballë për ballë në takimet e mia elektorale. Një person vjen të marrë pjesë në takimet e mia dhe më pas bisedon me 20 persona të tjerë”.
39-vjeçari Michael Seckely, i marinës së Shteteve të Bashkuara tha: “Ai nuk ka ndërmend të heqë dorë. Nëse ndiqni me vëmendje numrin e njerëzve që dalin nga eventet e tij elektorale, atëherë bindesh se mundësia e fitores është reale. Është njëlloj si të shkosh në një ndeshje futbolli dhe tifozët janë aq të shumtë sa të detyrojnë të luash në maksimumin tënd. Nëse nuk ka mbështetje, atëherë mund të shkosh në shtëpi dhe të heqësh dorë. Donald Trump është duke mbajtur dy deri në tri takime në ditë. Nëse e krahasoni me Clintonin, atëherë gjithçka është në favorin e tij”.
A do ta pranojnë mbështetësit e Donald Trumpit rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit? “Nëse zgjohesh më 9 nëntor dhe Hillary Clinton është bërë presidente e Shteteve të Bashkuara dhe nuk ka asnjë provë se zgjedhjet kanë pasur probleme, atëherë nuk mund të mos ta pranosh rezultatin. Nëse do të ketë probleme, unë do të kundërshtoj. Kur shikon që gjërat nuk kanë shkuar siç duhet, atëherë duhet të ngrihesh në këmbë. Dhunën nuk e kam problem, sepse jam marins që luftoj. Nuk trembem për të luftuar për të mirën e vendit tim”.

Mbështetësit e Trump: Befasi si në Britani

Njëlloj si kandidati i tyre Donald Trump, shumica e mbështetësve shpresojnë se votimi në këto zgjedhje do të ngjallë të njëjtën befasi me votimin e britanikëve për të dalë jashtë Bashkimit Evropian gjatë muajit qershor. Nigel Farage, lideri i partisë së pavarur të Britanisë së Madhe, e quajti votën britanike “fitorja e popullit të thjeshtë” kundër sistemit dhe është shfaqur shpesh në krah të Donald Trumpit gjatë eventeve elektorale.
Artisti 65-vjeçar, Marte Sellura, tha: “Mendoj se situata jonë ngjason shumë me Brexit. Unë i dëgjoj gjithmonë fjalimet e Nigel Farages. Mendoj se ne në Shtetet e Bashkuara ndodhemi në të njëjtën situatë me britanikët përsa i përket çështjes së emigracionit. Amerika më në fund është zgjuar dhe ka kuptuar se axhenda globaliste ekziston vërtet. Të gjithë ato gjëra që ne mendonim se ishin thjesht teori konspiracioni, tashmë nuk janë më të tilla, ato po ndodhin me të vërtetë”.
Sellura, i veshur me një bluzë ku shfaqej një pushkë me nënshkrimin: “Nuk do të dorëzohemi kurrë!”, lëshoi gjithashtu një kritikë të ashpër të ngjashme me lexuesit e mediave konservatore si “Breitbart News” dhe “Fox News”: “Sondazhet janë duke na gënjyer. Të gjithë e dimë që janë të manipuluar. Një sondazh i vërtetë do ta shfaqte Donald Trumpin 10 ose 15 pikë përpara Hillary Clintonit. E vetmja mënyrë që ajo të fitojë, është duke manipuluar zgjedhjet. Të gjithë e dimë që ajo ka për ta vjedhur rezultatin e zgjedhjeve. Ka prova të panumërta që tregojnë manipulimin e procesit zgjedhor: njerëz të vdekur në listat e votimit, emigrantë ilegalë që votojnë. Kjo është tradita e demokratëve”.
Sellura pretendon gjithashtu se përfshirja e prezantuesit televiziv, Billy Bush, kushëriri i ish-Presidentit George W. Bush në një video të ndyrë që tronditi fort fushatën e Trumpit, është një tjetër provë e konspiracionit të “famniljeve Bush-Clinton”. “Ndodhemi përballë krimeve të familjeve që e bëjnë mafien ruse dhe mafien siçiliane të duken si nxënës shkolle”.
Edhe vetë Donald Trump u ndal për të akuzuar si gjithmonë mediat për mashtrime, gjë që është përsëritur pothuajse nga të gjithë mbështetësit e tij të intervistuar. 65-vjeçari Chris Burton, një restaurues ndërtesash, tha: “Të gjitha mediat janë të mbushura me broçkulla. Është e pabesueshme se si njerëzit nuk i djegin gazetat. Më mirë të mos ekzistojnë. Janë të mbushura vetëm me gënjeshtra”.
Shumica e njerëzve të intervistuar thanë se do ta pranonin rezultatin e zgjedhjeve dhe se nuk do të shkaktonin asnjë reagim të dhunshëm, por jo të gjithë. “Unë nuk dua që Hillary Clinton të jetë presidente”, tha një burrë, i cili kërkoi të mbetej anonim. “Mendoj se nëse ajo fiton, do të shohim revolucion. Njerëzit do të ngrihen dhe do të dalin kundër qeverisë. Lufta civile ka ndodhur edhe më parë, ndaj nuk mendoj se është e pamundur të ndodhë përsëri”.
Duke mbajtur radhë jashtë arenës sportive ishte edhe ish-sekretarja e dalë në pension, 75-vjeçarja Irena Rus, me prejardhje nga vendlindja e Melania Trump, Slloveni. Kur ajo tha se kishte emigruar ilegalisht në Shtetet e Bashkuara dhe kishte mësuar aglisht, mbështetësit e Trumpit e përgëzuan atë dhe i shtrënguan dorën. Kur e pyetën nëse mendonte se Trump do të humbiste garën, ajo tregoi me dorë nga radha e gjatë e njerëzve që ndodheshin pas saj dhe tha: “I shikoni gjithë këto njerëz? Nuk mendoj se Donald Trump do të humbasë vetëm sepse mediat dhe sondazhet thonë se do të humbasë. Ai po bën një punë shumë të mirë me fushatën. Ai është i vetmi që thotë të vërtetën”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI