Kapen 600 kg drogë në Itali

Policia italiane sekuestroi dje 600 kg kanabis sativa dhe 20 kg marijuanë të përpunuar dhe vuri në pranga shtatë persona, mes tyre edhe një shqiptar. Operacioni është zhvilluar në një provincë të Foggias, në San Nicandro Garganigo dhe gjatë kontrollit të një godine të braktisur u zbulua një laborator i vërtetë marijuane. Policia italiane bëri të ditur se gjatë kontrollit u gjetën 600 kg kanabis sativa, 20 kg marijuanë e përpunuar gati për t’u hedhur në treg.
Hetimet nisën ditë më parë, kur karabinierët ranë në sy të lëvizjeve të personave të dyshimtë dhe nisën ndjekjen. Grupi kishte si detyrë të paketonte lëndën narkotike që dyshohet se vinte nga Shqipëria. Ata shkonin në mëngjes me një furgon dhe qëndronin në atë godinë të pabanuar deri në mbrëmje. Shqiptari i arrestuar është idenfikuar si Klodian Paluci. Të arrestuarit janë përpjekur të largohen, por nuk arritën.
Trafiku i drogës drejt Italisë vijon për çdo ditë. Vetëm në tre javë të muajit tetor janë sekuestruar më shumë se 4 tonë drogë nga brigjet shqiptare. Një javë më parë, policia italiane sekuestroi 650 kilogramë marijuanë të transportuar me skaf nga brigjet shqiptare. Droga u gjet në brigjet e Puglias, në Komunën e Monopoli, në plazhin e Santo Stefano dhe nëse do të dilte në treg, kapte vlerën e 3 milionë urove. Fillimisht janë gjetur 137 pako me lëndë narkotike, ndërsa pak më tutje në breg të detit është zbuluar edhe një gomone e braktisur. Mediat italiane shkruanin se, lënda narkotike vinte nga Shqipëria, përmes ujërave të Adriatikut, ashtu si tonelatat e sekuestruara në muajt e kaluar në rajonin e Puljas. Ndërkohë, që nëse do të dilte në treg, droga kapte vlerën e 3 milionë urove.

83 kg drogë nga Shqipëria në Kosovë

Më shumë se 83 kilogramë drogë e llojit marijuanë janë sekuestruar nga Policia e Kosovës, ndërsa janë vënë në pranga 3 persona, shtetas të Kosovës dhe të Shqipërisë, gjatë një operacioni të suksesshëm antidrogë të Policisë së Kosovës. Ndërsa një person i katërt është shpallur në kërkim. Gjithashtu, Policia e Kososvës bëri të ditur se, janë sekuestruar dhe tre automjete me targa kosovare dhe shqiptare. Rrjeti i trafikantëve është zbuluar në Restovicë të Deçanit. Policia tha se droga vinte nga Shqipëria.
Edhe pse ende në fazën e hetimeve, Policia e Kosovës tha për mediat se droga ka qenë pjesë e përgatitjes për ripaketim dhe shpërndarje në vendet e Evropës Perëndimore. Është formuar një rrugë prej Shqipërisë, nëpërmes Kosovës, në drejtim të Serbisë, Hungarisë, e pastaj drejt Austrisë apo Gjermanisë. Sipas Policisë nuk bëhet fjalë për ndonjë rrjet më të madh të organizimit, por për grupe të vogla që janë marrë vesh për transportimin e kësaj sasie të drogës.