Ferguson: Klop ka ringjallur Liverpulin

Sër Aleks Ferguson thotë se Liverpuli është një kandidat serioz për titullin kampion tani që Jyrgen Klop i ka rikthyer identitetin klubit. Legjenda skoceze ia doli që t’i zbriste rivalët nga froni i skuadrës më të titullar të Anglisë, që “Reds”-at e mbanin me 18 titujt kampion. I fundit ndër këta është ai i fituar 26 vite më parë dhe “Anfield”, ka parë 8 trajnerë të ndryshëm prej atëherë. Klop është i nënti dhe sipas Fergit, ai ka një shans për t’i dhënë fund pritjes së gjatë për titullin e 19-të.
“Ai ka bërë një punë shumë të mirë dhe ka ringjallur entuziazmin e Liverpulit”, tha 74-vjeçari gjatë një interviste për revistën gjermane “Kicker”. “Mund të ndodhë që edhe klubet e mëdha ta humbasin për njëfarë kohe. Për dy dekada, Liverpuli ndërroi trajnerët pa ndërtuar identitetin e tyre. Tani mund ta ndiesh me të vërtetë se këtë vit mund të besosh te ta.
Mund të shohësh dedikimin e Klopit në stol. Unë jam i bindur se, ashtu siç drejton skuadrën në ndeshje, ai e bën edhe në stërvitje. Ai është personalitet i fortë dhe kjo është absolutisht jetike për një klub të madh”. Vetëm një pikë i ndan 5 ekipet e para, ndërkohë që ish-klubi i Sër Aleksit renditet 6 pikë larg vendit të parë. Por ish-trajneri nuk e përjashton klubin e tij nga kandidatet e tjera: “Mendoj se ka 5 kandidate potenciale për titull. Shoh Mançester Sitin favorit, Totenhemin dhe Liverpulin, por edhe Junajtid janë ende në garë nëse fitojnë vazhdimësinë së shpejti. Edhe po të endesh 6-8 pikë pas, është ende e mundur që të arrish një apo dy ekipe”.
Njeriu, që qëndroi 26 vite në stolin e Mançester Junajtid, duke e shndërruar në klubin numër 1 në Angli, ndalet edhe te trajnerët: “Rivaliteti dhe përvoja e Guardiolës e Murinjos e bëjnë kampionatin shumë emocionues. Por nuk duhet të harroni Arsenalin. Skuadra është më e guximshme. Ata janë përmirësuar dhe bërë më agresivë. Jam i befasuar me djaloshin e ri, Aleks Iuobi. Cilësitë e Guardiolës nuk ka vend të debatohen.
Antonio Konte po e rikthen Çelsin në rrugën e duhur, por Murinjo mund ta rivalizojë gjithashtu Guardiolën. Ai ka fituar Champions-in me dy klube të ndryshme dhe tituj në 3 kampionate të ndryshme. Për mua, Mauricio Poketino ka një potencial fantastik. Totenhemi është një përzierje e energjive të reja dhe përvojës. Lojtarë si Herri Kejn apo Erik Daier kanë qenë të dëmtuar, por sërish ata janë në një pozicion shumë të mirë”.