Criminal Narcos

Në Qytetin e Meksikos ose në qendrat e provincave, në sheshet me tendën në qendër ku luan banda ose në qytezat e Chiapas, të prera papritmas nga pylli, gjenden herë pas here amerikanë që kanë humbur në jug të kufirit. Flasin spanjisht, por nuk e kanë braktisur asnjëherë theksin e tyre prej barbari. Janë njerëz të moshës së mesme, veshin këmisha kaki – natyrisht – dhe ka qenë diçka, pothuajse gjithmonë një femër, e cila i ka mbajtur të bllokuar në Meksikë, të paaftë që të kalojnë kufirin verior. Janë transferuar ose jetojnë akoma në Amerikë, por kthehen çdo verë, për muaj të tërë, që të shijojnë sezonin e shirave dhe të ëndërrojnë që të mund të blejnë një shtëpi në avenida Alvaro Obregon, në kryeqytet, ku çdo javë mbahet tregu i librave të përdorur.
Po të lexosh librin “The Cartel”, të dalë në fund të qershorit në Amerikë dhe vazhdim i shumë të famshimit “Pushteti i qenit”, Don Winslow të duket një prej amerikanëve të humbur në Meksikë. Përshkrimet e librarisë “El Pendulo” të kryeqytetit, në lagjen shik Condesa, ku protagonisti Art Keller kalon netë duke shfletuar libra e pirë kafe, janë shumë të detajuar për të mos menduar që Winslow të mos ketë vepruar njëlloj dhe rrëfimet e borracheras, të festave midis miqve në Ciudad Juarez, përpara se qyteti kufitar të transformohej në vendin më të tmerrshëm të botës, të lënë ta imagjinosh Winslow duke pirë birrë “Modelo” përpara shtëpisë së tij. Kur Keller, superpolic i Antidrogës amerikane, DEA-s, kupton se tashmë ndjehet më shumë në shtëpi në jug të kufirit sesa në Washington, autori duket sikur rishfaqet sërish. Edhe pse biografia dhe bibliografia e mohojnë (i lindur në Nju Jork, jeton në San Diego, ku zhvillohet edhe pjesa më e madhe e romaneve të tij, ka qenë një investigator privat), për të shkruar “The Cartel” Don Winslow duhet deri të ketë humbur në atë labirint që ka qenë Meksika e dekadës së fundit. Kur ka dalë prej tij, ka kuptuar se çfarëdo romani nuk do të arrinte kurrë ta tejkalonte realitetin.
Kështu, për “The Cartel”, Winslow i ka qëndruar besnik skenarit tashmë të shkruar. “The Cartel” është historia e periudhës më brutale të luftës kundër narkotrafikut në Meksikë, që fillon më 2006 (romani fillon më 2004) dhe kulmon rreth 2009 (romani përfundon më 2014), dhe se në pak vite ka provokuar të paktën 60000 të vdekur, ka shumë mundësi 100000, përveç dhjetëra mijëra të zhdukurve. Kopertina e botimit amerikan të “The Cartel” mban diçiturën klasike të romaneve, “A novel”, por të paktën deri në mesin e librit, për mbi 300 faqe, Winslow nuk ka nevojë që t’u drejtohet mjeteve të fiksionit. Nëpër librat e historisë, lufta kundër narkotrafikut në Meksikë fillon kur kreu i kartelit Sinaloa, Joaquin Guzman, arratiset nga burgu i sigurisë së lartë i Puente Grande (qysh nga ajo ditë meksikanët do të nisin ta quajnë me ironi Puerta Grande) për t’i dhënë jetë ngjitjes në pushtetin kriminal që do ta çojë të bëhet narkotrafikani më i madh i botës. Tek “The Cartel”, historia nis kur Adan Barrera, kreu i kartelit Sinaloa, arratiset nga Puente Grande për të filluar të njëjtën ngjitje. Qysh nga ai moment, ngjarjet që pasojnë janë të njëjtat me ato që kush ndjek kronikat meksikane i njeh mjaft mirë. Winslow përcjell në libër shumë elementë realë: emrat e karteleve të narkotrafikut dhe hartën kriminale të Meksikës, nofkat e narkosëve, marrëdhëniet e pushtetit, emrat e politikanëve, luftën e dëshpëruar kundër korrupsionit, krimet e mëdha që kanë mbushur me tmerr faqet e para të gazetave në ato vite. Transformon disa fakte bindëse në reale: emrat e narkosëve, të ndryshëm, por gjithmonë të njohshëm (Osiel Cardenas, kreu i kartelit të Golfo, tek “The Cartel” bëhet Osiel Contreras), teoritë e komplotit lidhur me bashkëfajësinë e qeverisë meksikane me narkotrafikun, shkaqet dhe mekanikat kriminale, operacionet sekrete të DEA-s. Së fundi, i shton këtij afresku kompleks dhe real Art Keller.
Keller, ujk vetmitar, superpolic i DEA-s, veteran i Vietnamit dhe legjendë e luftës kundër narkotrafikut, ish-protagonist i “Pushtetit të qenit”, është një prej personazheve të fiksionit të pastër të gjithë librit dhe është artefica letrare që i mundëson Winslow ta transformojë “The Cartel” në një roman të vërtetë. Ndërsa shpalosen ngjarjet e tmerrshme e luftës kundër narkotrafikut, tema narrative kryesore e librit është fiksimi i Keller pas kapjes së Adan Barrera/Joaquin Guzman, që do ta çojë Keller, polic i pakorruptueshëm, por të përpirë nga urrejtja (Tek “Pushteti i qenit”, pas ditë të tëra torturash, Barrera vret ortakun e tij të punës dhe shokun e vetëm), në humbjen e skrupujve dhe të humanizmit. Rrëfyesi i ditur e zbret Art Keller në teatrin e luftës së Meksikës me një helikopter dhe i bën amalgamën që e mban bashkë luftën për pushtetin kriminal të Barrera, zgjerimin e dhunës në Meksikë, grindjet dhe luftërat (ajo me familjen Tapia, që në realitet është familja Beltran Leyva dhe ajo me grupin e Zetas, njëlloj në libër si në kronika). Ekzistojnë edhe fije të tjera dhe secila prej tyre mbush një vend bosh në mozaiku e narracionit narkos. Rreth narkotrafikut meksikan është formuar një kanun gazetaresk e letrar dhe Winslow e respekton me mjeshtëri: vrasësit fëmijë, të stërvitur për të vrarë në moshën 10-vjeçare, trafiku i prostitucionit, kulti makabër i Santa Muerte, idhulli skeletor të cilit narkosët i ofrojnë gjak njerëzor, korrupsioni dhe pushtimi ushtarak i territorit, mediatizimi i konfliktit (videot me rrëfimet e shtirura dhe kokëprerjet nuk i ka shpikur Shteti Islamik), gazetarët e veriut të vendit që në ato vite dhe me tmerr, transformohen nga reporterë të përgjumur provincash në të dërguar lufte (131 gazetarë meksikanë janë vrarë në 10 vitet e fundit, është atyre që Winslow ua dedikon librin).
Por nganjëherë Winslow largohet nga norma. Personazhi Adan Barrera, antagonisti i romanit, është i ndërtuar mbi mbretin e narkotrafikut Joaquin Guzman. Të dy bëjnë të njëjtat luftëra dhe Winslow është besnik në anekdotikën (jetën luksoze të kryer në burg, martesën faraonike me një nuse vajzë, mbretëreshë bukurie 17-vjeçare), dhe në përshkrimin e një gjeniu kriminal absolut. Por sa Guzman është gjysmanalfabet, djali i një lopçari, njeri vulgar, aq Barrera është një gangster i dalë nga një film i Martin Scorsese, që pensionohet kur njerëzit e tij e zhysin veten në festa origjish dhe thotë me snobizëm se nuk kupton nga verërat, siç duan të bëjnë të besohet të pasuruarit. Në romanet që flitet për krim, zakonisht autori duhet të gjejë mënyrën që t’i theksojë të këqinjtë e tij. Shpesh edhe gangsterët më të këqij nuk ofrojnë material për roman, të këqijtë nuk janë sa duhet të tillë, nuk kanë jetë interesante, u mungon atyre ajo shkëndija e çmendurisë që i bën lëndë për kinemanë. Deri edhe hierarkët nazistë, nëpër romane, kanë disa tipare karikatureske. Kurse me narkotrafikun meksikan ndodh e kundërta, banaliteti i së keqes nuk ekziston dhe për Winslow procesi ka ecur së prapthi. Siç vëren Laura Miller tek “New Yorker”, përballë tmerrit bosh dhe së “keqes absolute” të dhunës në Meksikë, Winslow është detyruar që të tërhiqet, të japë një motivacion, një kuadër narrativ të një dhune që për sytë e kronikës është e pakuptimtë, e privuar nga shkaku dhe që e tillë dëshiron të jetë në qëllimet e kujt e ka kryer.
Në shtatorin e 2006 një grup narkotrafikantësh hyn në një diskotekë të Uruapan, në shtetin Michoacan, qëllon në tavan dhe lë në dysheme 5 kokë të prera. Është akti i lindjes i Familia Michoacana, një kartel që e fshihte aktivitetin kriminal pas teorive të çuditshme religjioze dhe milenare të udhëheqësit të saj, Nazario Moreno Gonzalez, që thoshte se luftonte dhe trafikonte drogë në emër të Zotit. Gazetat e 2006 do ta përcjellin këtë episod si akt të pastër dhune që synon të ekzistojë, por kur e shkruan tek “The Cartel”, Winslow nuk arrin ta pranojë se e keqja është qëllim në vetvete dhe e inkuadron brenda një kornize që e çon lexuesin në territorin e sensit logjik, që jep një shkak dhe në njëfarë kuptimi justifikim, sikur e keqja absolute të mos jetë e mirëqenë. Në libër, masakra e Uruapan është një hakmarrje, një akt çmendurie i një vrasësi fëmijë, të cilit narkosët i kanë vrarë dashurinë e jetës dhe kjo nuk e zbut dhunën, por të paktën e bën të kuptueshme. Është një rast pothuajse i izoluar në letërsinë e krimit, autori është i detyruar në njëfarë kuptimi të delimitojë zgjerimin e dhunës dhe kjo flet shumë për atë se çfarë ka qenë dhe në një pjesë të mirë ende është, lufta e narkotrafikut në Meksikë. Në një intervistë për “Vice”, vetë Winslow habitet: “Me “Pushtetin e qenit”, të ambientuar në fillimin e viteve shtatëdhjetë, ishte bindur se kishte shkruar “më të keqen e më të keqes”, e megjithatë “krimet më të këqija për të cilat kam shkruar tek ‘Pushteti i qenit’ nuk do të kishin gjetur hapësirë tek gazetat më 2011”.
Edhe në gjysmën e dytë, kur Winslow vendos të përqendrohet mbi klanin Zetas dhe udhëheqësi i tij, Z-1, bëhet i keqi i vërtetë dhe grindja midis Art Keller e Adan Barrera duket se kalon në plan të dytë, sërish diskursi mbi të keqen e pakuptimtë dhe absolute të narkotrafikut lëkundet, kërkon justifikim, ndërgjegjja e autorit nuk arrin që të dorëzohet. Kalon nga mohimi tek pabesueshmëria, tek fatalizmi, deri tek realizimi krudo, i përfaqësuar nga fjalët e narkotrafikantit Eddie Ruiz, jo rastësisht protagonisti amerikan i vetëm i librit përveç Keller, alter ego e mundshme e Edgar Valdez Villarreal, i arrestuar në Mexico City më 2010: “‘Do të ketë gjithmonë ndonjë që e shet këtë mutësirë’, i thotë Keller. ‘Më mirë nëse ky dikushi nuk vret gra e fëmijë. Në qoftë se nevojitet që ta bëjë, ju duhet të lini që ta bëjë dikush si unë’”. Është zgjidhja e pashmangshmërisë dhe e të keqes më të vogël, që do të ripropozohet shumë herë në të gjithë romanin dhe që është paraqitur edhe në luftën reale ndaj narkotrafikut, kur shumë herë gjatë viteve ekspertët i kanë pëshpëritur qeverisë meksikane që të zgjedhë kartelin më pak të dhunshëm dhe të nisë një traktativë shtet–narkos për të qetësuar dhunën në vend.
Në një prej pikave të errëta të librit, Art Keller mendon: “Kur pyet njerëzit: ‘Cila është lufta më e gjatë e Amerikës?’, zakonisht të përgjigjen: ‘Vietnami’ ose korrigjon veten me ‘Afganistani’, por nuk është asnjëra prej tyre. Lufta më e gjatë e luftuar ndonjëherë nga Amerika është lufta kundër drogës. 40 vjet dhe ende nuk ka mbaruar (…). Isha këtu kur është deklaruar dhe jam ende këtu. Dhe drogat janë më të përhapura, më të fuqishme dhe me çmim më të mirë se kurrë”. Është një mendim që Don Winslow e ka shprehur në shumë intervista dhe të cilit është e lehtë t’i kapet kuptimi: lufta kundër drogës është edhe amerikane, sepse Uashingtoni furnizon armë, miliarda dollarë, inteligjencë dhe mbështetje politike luftës së qeverisë meksikane prej më shumë se 40 vjetësh. Furnizon edhe me klientë narkotrafikun, Shtetet e Bashkuara janë tregu në të cilin derdhet dhe konsumohet pjesa më e madhe e drogës së trafikuar në Meksikë dhe Winslow është një mbështetës i bindur i teorisë, sipas së cilës kërkesa e drogës ilegale të limitohej apo bllokohej në Shtetet e Bashkuara. Për shembull, me legalizimin, dhuna do të fashitej. Për shumë ekspertë të narkotrafikut kjo nuk është zgjidhja, por në botën e pashpresë të “The Cartel”, riprodhim i përkryer i Meksikës reale, ku ndërthurja e kriminalitetit, korrupsionit dhe e rrënimit duket e pazgjidhshme, është mundësia e vetme e shpëtimit që Winslow lejon.
Duke llogaritur edhe “Pushtetin e qenit”, Winslow ka shkruar një epope kriminale që shtrihet për 45 vite dhe mbi 1200 faqe dhe që tani shfaqet pothuajse si testamenti i një epoke. Të gjithë narkotrafikantët e mëdhenj për të cilët Winslow ka krijuar alter ego fiksioni sot janë të vdekur ose në burg dhe është vetë Winslow ai që rrëfen fundin e disa prej protagonistëve të tij. Është arrestuar në shkurtin e 2014 Joaquin Guzman/Adan Barrera, vrarë Arturo Beltran Leyva/Diego Tapia, karteli Zetas është në vështirësi dhe në Mexico City është një President me moshë të re i qeshur dhe i hajthëm që flet për reforma ekonomike (bile edhe i bën ai) dhe kërkon që t’i bëjë të gjithë të harrojnë, ndoshta mbi të gjitha vetes, se pavarësisht përpjekjeve, arrestimeve dhe numrit të të vdekurve më së fundi në rënie, narkotrafiku është ende aty.
(Nga Il Mulino)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA