Basha-Europës: S’ka zgjedhje me Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi dje bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës se, legjitimiteti i zgjedhjeve të 2017 do të cenohet rëndë për shkak të përgatitjeve të qeverisë për të blerë votat dhe shantazhuar përmes krimit, ndërsa deklaroi se vendi nuk do të mund të ketë zgjedhje pa zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe ndërhyrjen energjike ndërkombëtare për trafikun e lëndëve narkotike.
Misioni faktmbledhës i Këshillit të Europës prej disa ditësh vijon takimet në Tiranë në përfaqësues të lartë të politikës në vend. Në takimet e zhvilluara bashkëreporterët kanë konstatuar shqetësimin e Presidentit për rrezikun që i kanoset demokracisë nga implikimi i krimit në zgjedhje, ndërsa kërkoi ndërhyrje ndërkombëtare për të mos lejuar kapjen e drejtësisë.
Misioni faktmbledhës i Këshillit të Europës ka marrë dje qëndrimet e kryetarit të opozitës në lidhje me zgjedhjet, situatën e kriminalitetit dhe lejimin që qeveria i ka bërë fuqizimit të karteleve të drogës.
Basha priti bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly me të cilët ndau shqetësimin për drogën, krimin, korrupsionin, shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, lirisë së medias dhe mungesën e vullnetit të qeverisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha theksoi se kanabizimi i vendit me shpejtësi të madhe është pasojë e marrëveshjes së Kryeministrit me segmentet kriminale, që çoi edhe në kriminalizimin e Parlamentit dhe administratës. Përhapja dramatike e sipërfaqeve të mbjella me kanabis u vërtetua nga vëzhgimet ajrore dhe nga tonelatat e kanabisit të kapura në Itali dhe Greqi, është bërë tashmë temë e mediave prestigjioze ndërkombëtare dhe shqetësim për sigurinë e vendeve të BE-së.
“Grupet e organizuara kriminale që veprojnë me mbrojtje të segmenteve të caktuara të policisë dhe që kanë lidhje me politikanë të lartë, përfshirë ministrin e Brendshëm, zotërojnë qindra miliona euro dhe rrjet të sofistikuar. Kjo përbën kërcënim për sigurinë e vendit, por edhe më gjerë, sepse bashkëpunimi i këtyre organizatave me terrorizmin ndërkombëtar kërcënon sigurinë e rajonit dhe të vendeve europiane”, tha kreu i PD. Basha ‎theksoi se, lidhja e krimit me politikën, paraja e siguruar nga trafiqet, krimi dhe korrupsioni po shkatërrojnë procesin politik në Shqipëri.
“Në zgjedhjet e 2015-ës e më pas në ato të Dibrës, Edi Rama tregoi qartë se paratë e drogës dhe rrjetet kriminale do të përdoren për të blerë votat në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa krimi do të blejë pushtet politik. Kjo përbën‎ rrezikun më të madh për zgjedhjet e ardhshme. Rama ka bllokuar zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe shembull janë Rroshi, Bushi, Prenga e dhjetëra drejtues të posteve kyçe në administratë dhe polici. Nëse nuk zbatohet ligji i dekriminalizimit dhe nuk ndërmerren veprime energjike, nën presion ndërkombëtar, për ndalimin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është e pamundur që vitin e ardhshëm të zhvillohen zgjedhje”, tha kreu i PD.
Në mënyrë të qëllimshme, Rama ka vonuar dhe bërë të pamundur reformën zgjedhore tashmë që pas një muaji fillojnë përgatitjet zgjedhore. Në këto kushte, standardet e zgjedhjeve demokratike dhe legjitimiteti i zgjedhjeve do të cenohen rëndë.
Basha iu përgjigj interesimit të dy raporterëve në lidhje me lirinë e medias. “Presioni i vazhdueshëm i Edi Ramës ka bërë që hapësira mediatike për aferat korruptive, presionet kriminale dhe situatën e rëndë ekonomike të ketë pak ose aspak hapësirë. Rast flagrant është heqja nga puna e gazetares Alida Tota dhe mbyllja e emisionit  investigativ ‘Publicus’ sepse po hidhnin dritë mbi përgjegjësitë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për vdekjen e 17- vjeçarit, Ardit Gjoklaj”, tha Basha.

A.Shahini