OSBE e shqetësuar për Reformën Zgjedhore

Në Shqipëri, zyra e OSBE-së shprehu sot “shqetësim të thellë” për vonesat në procesin e realizimit të Reformës Zgjedhore. “Zgjedhjet po vijnë, ka mbetur vetëm një muaj e gjysmë deri në fillimin zyrtar të përgatitjeve, mandati i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore skadon më 9 dhjetor dhe procesi i reformës zgjedhore nuk ka nisur ende. E thënë thjesht, nuk ka më kohë për të humbur!”, deklaroi shefja e zyrës politike të OSBE-së, Carolina Ramos Da Costa. Zyrtarja e organizatës ripërsëriti gatishmërinë për të ndihmuar Parlamentin në realizimin e Reformës Zgjedhore, “por nëse duam që ndryshimet në ligj të zbatohen si duhet, duhet të krijojmë hapësirën e duhur kohore përpara zgjedhjeve. Vetë ambasadori Borchardt më kërkoi që ta nxit Komisionin e Posaçëm të mblidhet dhe të rifillojë punën, me kapacitet të plotë, sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh ajo.
Sipas OSBE-së “është thelbësore që reforma të përfundojë në kohën e duhur përpara zgjedhjeve. Që kjo të bëhet realitet, komisioni duhet t’u japë përparësi fushave të tij të punës, në mënyrë që të realizojë një Reformë Zgjedhore, e cila i trajton të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe që, gjithashtu i përfshin të gjithë aktorët në një proces transparent”, nënvizoi Da Costa.