Kot lehin zagarët e rrugëve, dhëmbët e tyre nuk kafshojnë

Nga Reshat Kripa

Ditët e fundit, si në një kor të dirigjuar nga hienat e zeza të sistemit të përmbysur, kanë mbushur faqet e mediave të shkruara dhe atyre vizive klithma ogurzeza të lëshuara nga pinjollët bastardë të tyre, ca të ashtuquajtur historianë fatkeq që nuk e dinë as ku e kanë kokën e tyre, ca pseudoveteranë që në kohën e Luftës së Dytë Botërore nuk kishin mbushur as 10 vjeç, madje edhe disa të ashtuquajtur të përndjekur politikë që ndodhen në poste drejtuese të disa partive dhe që kanë qenë dënuar për motive të ulëta ordinere, siç janë përdhunimi i familjarëve të tyre apo vjedhja dhe që regjimi për t’i dënuar më tepër u shtoi edhe nga një akuzë politike si “tentativë arratisje” apo “agjitacion dhe propagandë” dhe sot, në këtë mish-mash që ekziston në vendin tonë dalin si përfaqësues të të përndjekurve të vërtetë politikë.
Kjo është, për fat të keq, Shqipëria jonë e sotme. Shqipëria që nuk e dënoi si duhet kolerën komuniste, nuk dënoi kriminelët që e mbajtën gjallë atë sistem. Ja si është shprehur zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës:
Nuk ka asnjë vend ku KOMUNIZMI KA ARDHUR NË PUSHTET DHE TË KETË QENË DEMOKRATIK. NËSE NAZIZMI U DËNUA VETËM PAK MUAJ PAS RËNIES, NUK U BË E NJËJTA GJË ME KOMUNIZMIN. NË PËRFUNDIM TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE, DIHEJ SAKTË KUSH ISHTE FITIMTARI DHE KUSH I MUNDURI. NDËRSA NË PËRFUNDIM TË LUFTËS SË FTOHTË, GJËRAT ISHIN TË PAQARTA. UNË NUK KAM FRIKË AS NGA NAZIZMI, AS NGA KOMUNIZMI, POR NGA LAKEJTË E TYRE QË I KANË NDIHMUAR REGJIMET ISH-KOMUNISTE TË QËNDROJNË NË KËMBË.
Ndaj kot lehin zagarët e rrugëve pasi dhëmbët e tyre nuk mund të kafshojnë më. Koha e tyre perëndoi qysh në dhjetorin e ‘90-s dhe bashkë me të edhe ideologjia e tyre totalitare. Sot është koha e së vërtetës dhe këtë nuk mund ta mbulojnë klithmat e tyre ogurzeza.
Lidhur me sa më sipër ditët e fundit kambana e dështakëve filloi të çirret dhe këlthasë duke “protestuar” për një dekret të Presidentit të Republikës, të nderuarit Bujar Nishani, me anën e të cilit dekoronte me urdhrin “Martir i Demokracicë” 82 viktima të nderuara të rrethit të Lushnjës, të masakruara më 21 tetor 1943 nga krimineli komunist, Mehmet Shehu dhe bandat e tij terroriste. Atë dekorim Presidenti e bëri në bazë të një kërkese të bërë nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë dhe jo me urdhër të Partisë Demokratike siç shkruajnë “shakaxhinjtë e përparimit” siç i quante Noli pjellat e këtij lloji. Madje do të thoja që Partia Demokratike u tregua e pakujdesshme që nuk dërgoi një përfaqësues nga qendra për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Ajo nuk u zhvillua në heshtje dhe fshehurazi se këto nuk janë metodat tona, por tuajat dhe sistemit tuaj. Ceremonia u zhvillua ditën me diell, në lapidarin madhështor ngritur në qendër të Divjakës ku ndodhi ky krim dhe kumtesat u mbajtën në sallën e Shtëpisë së Kulturës të mbushur plot e përplot.
Ndaj heshtni! Martirët tanë janë gjallë pasi gjallë janë edhe parimet për të cilat ata ranë. Sepse sikurse shkruan poeti:
Kush ban dekën për atdhe,
Ai s’ka dekun, por ka le!