United i pamëshirshëm, ndalet Roma

Manchester United nuk zhgënjeu në sfidën e tij në grupet e Europa League, me Djajtë e Kuq të United që regjistruan një goleadë të vërtetë në Grupin A, duke mundur 4-1 Fenerbahçen falë dhe dy penalltive të shpejta të dhënë nga kryesori, që u shndërruan në gol nga Pogba dhe Martial.
Gjithsesi Paul magjinë e vërtetë të mbrëmjes e realizoi kur shënoi golin e 3-të, ndërsa në pjesën e dytë rezultatin e fitores e vulosi i riu Lingard edhe pse në fund Fenerbahçe shkurtoi diferencën me ish-in Van Persi. Me këtë sukses, skuadra e Murinjos mori dhe kreun e grupit me pikë të barabarta me Feyenoord që nga ana e tij mundi 1-0 rusët e Zorya falë një realizimi të Jorgensenit.
Në Grupin E, Roma bëri harakiri në ndeshjen e 100 europiane të Totti-t, duke shpërdoruar një epërsi të dyfishtë brenda pak minutave ndaj Austrisë së Vjenës në sfidën direkte mes kryesuesve të grupit. Holzhauser shënoi i pari për austriakët, por El Sharaawy përmbysi shumë shpejt shifrat për verdhekuqtë. Në pjesën e dytë u duk sikur Florenzi i vuri vulën takimit me golin e 3-1, por Prokop në të 82-tën dhe Kayoke në të 84-tën i dhuruan një barazim spektakolar Austrias.
Në Grupin B, Olympicos mori kreun e grupit falë një fitoreje të thellë 4-1 ndaj kazakëve të Astanës. Grekët zgjidhën ndeshjen në vetëm 9 minuta, kur nga e 25-të deri në të 34-trën shënuan 3 herë, me Figuereias, Elyonoussi dhe Seba-n. Ky i fundit në pjesën e dytë kompletoi dhe dygolëshin personal për suksesin 4-1 të vendasve. Apoel Nicosia pësoi humbjen e parë në grup pasi u mund 3-1 nga Young Boys, që pati për protagonist Gauilleme Haraou që shënoi një tregolësh, ndërsa qipriotëve nuk i mjaftoi për të dalë me pikë nga Zvicra realizimi i Efrem në pjesën e parë.
Grupi C është më i ekuilibruari me 3 skuadra që kanë nga pesë pikë në renditje. St.Ettiene shfrytëzoi maksimalisht faktorin fushë duke mundur 1-0 Qabalën pas një autogoli të Ricardinhos. Mainz dhe Anderlercht ndërkohë ndanë nga një pikë mes tyre, me vendasit që kaluan të parët në epërsi me Mallin në të 10-tën, ndërsa për miqtë realizoi Teodorczyk.
Zeniti i Shën Petërburgut në Grupin D ruajti ecurinë me pikë të plota pasi përmbysi rezultatin në Irlandë ndaj Dundalk. Vendasit befasuan rusët me golin e Bensonit, por Mak dhe Guiliano përmbysën shifrat për Zenitin. Gjithsesi Dundalk mbetet i dyti me katër pikë pasi Maccabi i Tel Avivit mposhti A.Z Alkmar brenda në Holandë. Scarione shënoi për miqtë në pjesën e parë, ndërsa Muehren barazoi shifrat në minutën e 72-të, por Golasa i dha suksesin e parë në grup izraelitëve 9 minuta para fundit.
Në Grupin F surprizon sërish Genk. Skuadra belge pas Sassuolos mposhti edhe Athletic Bilbaon me rezultatin e pastër 2-0, duke u ngjitur në krye të grupit. Golat për skuadrën e trajnerit Peter Maes u realizuan nga Brabec dhe Ndidi. Përfundoi në barazim 1-1 takimi tjetër i Grupit F mes Rapidit të Vjenës dhe Sassuolos. Austriakët kaluan të parët në epërsi me Schaub, por autogoli i Schrammel në pjesën e dytë vendosi baraspeshën.