Tension në debatin e tretë, dita e zgjedhjeve duket e paparashikueshme

Debati i tretë dhe i fundit mes kandidatëve presidencialë, Hillary Clinton dhe Donald Trump filloi pa shtrëngim duarsh mes tyre, një shenjë e acarimit të retorikës së fushatës. Dy kandidatët hynë në sallë dhe menjëherë zunë vend pas podiumeve. As familjet e tyre nuk u përshëndetën para fillimit të debatit.
Temat përfshinë Gjykatën e Lartë, imigracionin dhe ekonominë dhe politikën e jashtme.
Debati duket se po përqendrohet më shumë tek politikat, megjithëse pati momente të tensionuara, si për shembull, kur Clinton i tha zotit Trump se do të ishte “një kukull e Putin”, ndërsa Trump tha se Presidenti rus ishte treguar më i zgjuar se ajo.
Trump, nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij se zgjedhjet janë të manipuluara megjithëse vajza e tij, Ivanka dhe kandidati i tij për nënpresident, Mike Pence kishin thënë se ai do ta pranonte rezultatin.
Ai tha: “Do t’ju them kur të vijë koha”. Kur drejtuesi i debatit këmbënguli në pyetjen e tij, Trump tha: “Do t’ju mbaj pezull”.
Clinton tha se fakti që Trump nuk do që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve nëse humb, është “i tmerrshëm”.
Clinton thotë se do të emëronte anëtarë të Gjykatës së Lartë, që do të vazhdonin “traditën e madhe”, që të mbronin të drejtat e të gjithë amerikanëve.
Ajo i quajti emërimet presidenciale për gjykatën, një çështje qendrore në zgjedhje sepse tregon se çfarë vendi janë Shtetet e Bashkuara.
Kandidatja demokrate tha se do të emërojë anëtarë gjykate që mbrojnë të drejtat e grave, homoseksualëve dhe gjithë popullit amerikan, jo korporatave dhe të pasurve.
Edhe Trump tha se është shumë e rëndësishme që të emërohen anëtarët e duhur në Gjykatën e Lartë. Ai premtoi se do të emërojë anëtarë që nuk pranojnë abortin dhe që interpretojnë Kushtetutën amerikane, ashtu siç e kishin interpretuar themeluesit e vendit.
Megjithëse dy kandidatët thonë se e mbështesin Amendamentin e Dytë, që mbron të drejtën e armëmbajtjes, Clinton tha se duhet të ketë më shumë rregulla, ndërsa Trump tha se e drejta për armëmbajtje është nën sulm.
Clinton premtoi se do ta mbrojë abortin e legalizuar, ndërsa Trump nuk pranoi të thoshte direkt nëse mendon se vendimi për legalizimin e abortit duhet përmbysur.
Trump tha se Clinton do që të shpallë amnisti për imigrantët e paligjshëm. Ai gjithashtu akuzoi Clinton se do që të hapë kufirin.
Ai tha se nëse bëhet President ai do të garantojë që “burrat e këqij”, duke përdorur fjalën spanjisht për burrat, të deportohen sa më shpejt.
Clinton tha se ajo është më e zonja për sigurinë e kufirit, por se ajo është kundër planeve të Trump. Ajo tha se planet e tij për të dëbuar mijëra banorë pa dokumente, do të ndanin familjet.
Përsa i takon ekonomisë, Clinton tha se plani i saj ekonomik do të krijojë shumë mundësi për amerikanët e klasës së mesme.
Ajo tha se plani i saj do të hapë 10 milionë vende të reja pune dhe se do t’i gjejë fondet duke i detyruar të pasurit dhe korporatat që të paguajnë përqindjen e duhur të taksave.
Trump e quajti planin e zonjës Clinton për taksat, katastrofik dhe që sipas tij do të sjellë si rezultat rritje masive taksash. Ai premtoi se do të rinegociojë Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë, NAFTA.
Kandidati republikan i hodhi poshtë përsëri akuzat se kishte ngacmuar disa gra. Ai tha se nuk “i kishte kërkuar falje as gruas së tij”, pasi siç tha ai, nuk kishte bërë asgjë. Ky pohim bie ndesh me një intervistë të bashkëshortes së tij Melania, ku ajo thotë se ai kishte kërkuar ndjesë.
Clinton akuzoi Trump se kishte vënë në shënjestër “dinjitetin dhe vetëbesimin” e grave dhe se të gjitha gratë e kuptojnë se çfarë ndjesie shkakton një gjë e tillë.
Nga ana e tij, Trump e akuzoi Clinton se nuk ishte një përkrahëse e vërtetë e të drejtave të grave.
Përsa i takon politikës së jashtme, Hillary Clinton tha se nuk do të dërgonte trupa tokësore në Irak, pasi Shteti Islamik të mposhtet në Mosul.
Ajo tha gjithashtu se, Siria do të mbetet një vatër terrorizmi përsa kohë të vazhdojë lufta civile, duke shtuar se do të këmbëngulë për një hapësirë të sigurt ajrore dhe zona të sigurta për të mbrojtur civilët.
Clinton tha se kjo do t’i jepte një avantazh Shteteve të Bashkuara me rusët dhe sirianët për të arritur një marrëveshje.
Trump tha se Mosuli ra në kontrollin e Shtetit Islamik për faj të administratës së Obamës, përfshirë Clinton si sekretare e Shtetit.
Ai tha se Irani duhet të falënderojë Shtetet e Bashkuara se, duke thënë se Irani “po merr nën kontroll” Irakun.
Ai tha gjithashtu se Presidenti sirian, Bashar al-Assad është më i fortë se zoti Obama dhe se vendimet e këqija të Shteteve të Bashkuara, janë pjesërisht përgjegjëse për katastrofën humanitare në Siri.
Debati u mbyll siç filloi: pa shtrëngim duarsh të kandidatëve.
Ai i quajti shumë nga refugjatët që po ikin nga Siria, mbështetës të Shtetit Islamik, ndërsa Clinton tha se nuk do t’ia mbyllte kurrë portën grave dhe fëmijëve.

Kush e fitoi debatin Clinton-Trump?

Asnjë nga mediat, qoftë ato të shumtat që përkrahin Hillary Clinton, as ato në minorancë që qëndrojnë pranë Donald Trump, nuk kanë “rrëshqitur” akoma në nxitimin që do të ishte jo profesional, për të vënë gishtin mbi “fituesin”. As vetë “New York Times”, as “Uashington Post”, as “Politico”, që janë manifestuar si “Watch dog” pranë pushtetit të Hillary-s.
Megjithatë, duke transmetuar gjatë gjithë kohës, pa pushim, sidomos mediat lokale në Amerikë, kanë krijuar një përshtypje se si u zhvillua debati.
Në radhë të parë, interesimi i mediave se çfarë do të ndodhë “në qoftë se Trump humb zgjedhjet”, a do ta pranojë rezultatin? Vetë Donal Trump u përgjigj në debat (megjithëse kjo nuk ishte një temë e parashikuar për debatin) se “do të flas në kohën e duhur”. Domethënë, njëri nga kandidatët presidencialë nuk lëviz nga pozita e tij se, “zgjedhjet mund të jenë manipuluar” para se të ndodhin.
Mediat tregojnë se Trump, duke pasur një shans të fortë që të shpjegojë pse duhet të jetë ky presidenti i ardhshëm, u vu në rolin e këtij posti. Atij iu desh të tregojë distancën nga akuzat që i kanë bërë me histori mbi “ngacmime seksuale”, domethënë, të dëshmonte atë që tha Melania Trump se, “ky që thoni ju nuk është burri që njoh unë”.
Trump iu desh ta verë veten në kandidatin-ndryshe, vetëm pak ditë pasi televizioni “Fox News” argumentoi se “Hillary ka tetë vjet në Presidencë”, duke shtruar pyetjen “prapë të njëjtën gjë?”. Trump dhe Clinton u përpoqën të tregojnë në publik se cili mund ta “ndryshojë vendin për më mirë”.
Një vend të mirë zuri edhe debati mbi Gjykatën Supreme, mbi të drejtën për armë, mbi abortin dhe mbi emigracionin. Mes këtyre temave u manifestua tension dhe ndërprerje e fjalës së njëri-tjetrit mes dy kandidatëve.
Trump e quajti Clinton “një gënjeshtare” dhe “grua e ligë”.
Ai tha se gratë që e akuzojnë për ngacmime seksuale ishin ose “në kërkim të vëmendjes”, ose “lolo të fushatës së Clinton”.
Trump tha se media ka “helmuar mendjen” e publikut. Dhe veçanërisht, ai refuzoi të thotë nëse do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve në qoftë se humb.
Zonja Clinton, në minutat e saj, iu desh të mbrohej mbi çështje të nxehta si: Keqpërdorimi i e-maile-ve në qeverinë amerikane, mbi Fondacionin Clinton që është i përfolur si përfitues i fondeve publike dhe i influencës shtetërore, si dhe mbi plot prova që po dalin nga postimet e WikiLeaks.
Diferencë që u vu re, se zonja Clinton, si mjeshtre e zyrave, mundi ta kthejë prapa temën që kishte më për zemër dhe të merret me këtë; këtë e përdori si një strategji.
Sigurisht, amerikanët sot në mëngjes do të turren për te titujt kryesorë të gazetave, por mund të gjejnë vetëm kaq: Që Trump nuk tha gjë nëse do ta pranojë ose jo rezultatin e zgjedhjeve “të manipuluara” siç ka thënë ai.