Shqipëria humbet 7 vende në renditje

Që eliminatoret e tetorit do të kishin një kosto për Shqipërinë në renditjen e FIFA-s duke qenë se për koeficientët matës fitorja 2-0 ndaj Lihtenshtejnit peshon më pak se disfata në të njëjtat shifra me Spanjën, kjo dihej, por me publikimin e renditjes së fundit të organizmit botëror të futbollit, mësohet edhe se sa është kjo kosto. Shqipëria e futbollit humbet 7 vende në klasifikimin global, të përditësuar këtë të enjte në faqen zyrtare të FIFA-s, ku pozicionohet aktualisht në shkallën e 47, nga e 40 ku ndodhej një muaj më parë.
Krejt e kundërta ka ndodhur me Kosovën, përfaqësuesja më e re e kontinentit, ka ngjitur 4 shkallë në klasifikimin e FIFA-s, duke u renditur aktualisht në vendin e 164. Edhe pse u mund në të dyja ndeshjet e luajtura në tetor, kundër Kroacisë 6-0 në “Loro Boriçi” dhe 3-0 në transfertën përballë Ukrainës tre ditë më pas, Kosova vijon ngjitjen duke qenë se është përfshirë së fundmi në renditjen e FIFA-s, ku në muajin gusht renditej në vendin e 190.
Për sa i përket rivalëve të Shqipërisë në grupin e eliminatoreve të Rusi 2018, Spanja hyn në dhjetëshen më të mirë të botës pasi ka ngjitur një shkallë për këtë muaj, qëndron në vendnumëro Italia e pozicionuar e 13, Izraeli, kundërshtari ynë i radhës që në tetor fitoi ndaj Maqedonisë dhe Lihtenshtejnit ngjitet plot 19 shkallë, duke u renditur në vendin e 79. Maqedonia humbet 9 vende, duke u klasifikuar e 155, ndërsa ashtu si në grup, qëndron poshtë të gjithëve Lihtenshtejni në vendin e 183. Për sa i përket kreut të klasifikimit të FIFA-s, në vendin e parë qëndron Argjentina, e ndjekur nga Gjermania dhe më pas Brazili.