Sekuestrohet mbi 1 ton drogë në Greqi, vinte nga Shqipëria

Më shumë se 1 ton marijuanë ka sekuestruar policia greke gjatë një operacioni anti-drogë ditën e djeshme në qytezën Afidnes, në rrethinat e Athinës. Mediat greke shkruajnë se 6 persona përfunduan në pranga, disa prej tyre shqiptarë. Marijuana e sekuestruar mësohet se vinte nga Shqipëria dhe do të transportohej në Europën Veriore.
Aksioni i forcave greke kishte nisur prej disa ditësh, duke vënë në survejim një kamion të dyshimtë. Pasditen e djeshme, agjentët ndoqën kamionin, i cili hyri në një magazinë në periferi të kryeqytetit grek.
Menjëherë nisi operacioni që mundësoi arrestimin në flagrancë të trafikantëve. Mes tyre mësohet se është edhe një baron grek, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Autoritetet greke njoftojnë se do të dalin të premten me një komunikatë për shtyp, për detaje të mëtejshme. Sipas hetimeve paraprake, kanabis trafikohej nga Shqipëria në Greqi, e më pas drejt vendeve të tjera evropiane. Sipas burimeve zyrtare të cituara nga mediat greke në këtë magazinë kryheshin të gjitha proceset e përpunimit dhe paketimit të marijuanës. Po sipas mediave vendase, policia nisi hetimet pas dyshimeve për transferta të mëdha parash tek personat që e kishin në pronësi këtë magazinë.
Deri tani janë arrestuar 6 anëtarë të kësaj organizate, grekë dhe shqiptarë që jetojnë në Greqi. Agjentët grekë të antidrogës bllokuan edhe një kamion të ngarkuar me kanabis, që do ta transportonte në vendet e Europës. Nuk janë bërë publik emrat e të arrestuarve dhe nuk ka informacione të tjera të bandës kriminale. Sekuestrimi i kësaj sasie masive droge në Greqi, vjen 2 ditë pas një tjetër operacioni antidrogë, ku në qytetin e Janinës u kapën 132 kg marijuanë dhe u arrestuan 2 të rinj shqiptarë.
Një muaj më parë e njëjta sasi droge u sekuestrua nga autoritetet greke gjatë një operacioni të finalizuar në brigjet e Mesologjit, ku autoritetet raportuan se droga vinte nga Shqipëria dhe kishte destinacion Patrën në Greqi.
Ndërsa në Itali GDF sekuestroi 330 kg marijuanë në bordin e një furgoni që udhëtonte nga qyteti i Leçes në qytetin e Romës dhe ka arrestuar një shtetas italian. Policia bën të ditur se lënda narkotike ishte e ndarë në 15 pako të mëdha e të lidhura me ngjitës, një mënyrë kjo tipike e përdorur nga trafikantët shqiptarë për të mbrojtur lëndën narkotike nga uji përgjatë udhëtimit përmes Adriatikut.
Ndërkohë, policia greke ka zbuluar se bllokimi i 64 kg kanabis pak javë më parë i përkiste një shqiptari. Autoritetet greke bënë të ditur se kanë arrestuar një 34-vjeçar shqiptar, i cili është poseduesi i një sasie lënde narkotike të sekuestruar në zonën e Selanikut më 27 shtator. Shqiptari braktisi makinën pas ndjekjes policore rreth 1 muaj më parë dhe pas kontrollit në automjetin e tij, policia greke gjeti 64 kilogram hashash. Droga ishte e ndarë në 62 pako dhe ishte fshehur në sediljet e pasme dhe në bagazhin e makinës. 34-vjeçari ishte identifikuar dhe ishte shpallur në kërkim, ndërsa sot u ndalua nga policia, pasi ndaj tij është lëshuar urdhër-arresti.