Rritet ndjeshëm numri i klandestinëve shqiptarë në portet holandeze

Portet holandeze janë përballur me një fluks të pazakontë të klandestinëve shqiptarë. Kjo pasi numri i klandestinëve shqiptarë, të cilët synojnë Anglinë, ka pësuar një rritje me mbi 350%. Konkretisht, nëse në gjashtë muajt e parë të vitit 2014 dhe 2015 kishte respektivisht 60 deri në 90 klandestinë, këtë vit janë arrestuar nga Policia Ushtarke plot 320 persona. Është rritur ndjeshëm numri i klandestinëve shqiptarë që ndalohen në portet e Holandës. Nga të dhënat e siguruara nga ABC News, 320 persona janë arrestuar këtë vit nga Policia Ushtarake holandeze. Disa ditë më parë u ndaluan 10 shtetas shqiptarë në një kamion frigoriferik, pasi ata dyshohen që kishin hyrë me vetëdijen e shoferit rumun për të ikur në Angli. Por, ata u zbuluan nga Policia e Kufirit, pasi gjatë ndalimit kishte patur shenja të qarta hipotermike. Nëse marrim parasysh që udhëtimi do të zgjaste dhe të pakten 8 orë të tjera, atëherë kalimi mund të kishte qenë dhe fatal për klandestinët. Rritja drastike vjen pak pasi azilkërkuesit shqiptarë janë kthyer në një nga temat kryesore të mediave në Holandë. Dhe siç duket, tashmë do i shtohet dhe problematika e klandestinëve nga Shqipëria. Këta të fundit përbëjnë shqetësim për autoritetet holandeze, pasi shqiptarët përbëjnë grupimin më të madh që kapen nëpër portet holandeze. Nga i gjithë totali i arrestimeve në këto gjashtë muajt e fundit, shqiptarët përbëjnë rreth 60% të personave që tentojnë të ikin në Angli. Ndërkohë, Shqipëria dhe Kosova janë dy shtetet e Evropës Lindore që kanë kryesuar në kërkesat e tyre për azil në vitin 2015, sipas një raporti të fundit të Pew Research Center, që ka analizuar të dhënat nga Eurostat, agjencia statistikore e Bashkimit Evropian. Sot, thotë raporti, vendet e Evropës Lindore, si Kosova dhe Shqipëria ende kontribuojnë në rrjedhën e përgjithshme të azilkërkuesve në BE, Norvegji dhe Zvicër, por rreth gjysma e refugjatëve në 2015 kishin origjinë nga vetëm tre vende: Siria, Afganistani dhe Iraku. Disa prej azilkërkuesve të Evropës në vitin 2015 ishin nga rajone që kanë pasur dhe valë të kaluara të emigrantëve. Gati një në pesë azilkërkues në vitin 2015 (17%) kanë ardhur nga vendet evropiane jashtë BE-së, Norvegjia dhe Zvicra, duke përfshirë azilkërkuesit nga Kosova (68.000 në vitin 2015, nga 35.000 në 2014), Shqipëria (67,000 në vitin 2015, nga 16,000 në vitin 2014) dhe Ukraina (21.000 në vitin 2015, nga nga 14,000 në vitin 2014). Kosova dhe Shqipëria janë përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë për kërkesat për azil  (duke përbërë secila nga 5% të totalit) për vitin 2015, pas tre shteteve që i ikin luftës: Siria, Afganistani dhe Iraku. Madje raporti vë në dukje se, Europa mori pothuajse të njëjtin numër të aplikimeve për azil nga Shqipëria dhe Kosova së bashku, sa mori dhe nga Iraku. Nga Shqipëria në Gjermani kishte 54 mijë azil kërkues.