Me sytë nga Niang

Milani po fluturon në kampionat, kjo edhe për meritë të Mbaje Niangut, i cili është bërë i pazëvendësueshëm për lojën e Vinçenco Montelës. Trajneri kuqezi, në vigjilje të ndeshjes kundër Juventusit, ka “graduar” francezin për të cilin tha: “Përpara se të jepja një gjykim për të, doja ta njihja menjëherë sapo mora drejtimin e Milanit. Bëmat e tij kanë bërë më shumë zhurmë se ato të lojtarëve të tjerë. Niang është një lojtar që mund të përmirësohet akoma shumë dhe po punon për t’u bërë një kampion i madh. Ai ka cilësi të rëndësishme, mund të bëhet lideri i Milanit, mirëpo pres nga ai që të shënojë më shumë gola”, tha fillimisht Montela.
Më tej, ai u përqendrua te ndeshja përballë Juventusit: “Duhet të luajmë sfidën tonë. Çdo skuadër ka karakteristika të ndryshme, por kundër Juventusit nuk do të na mungojë dëshira për të bërë një paraqitje të mirë. Futbolli i kohëve moderne është ndryshe, pasi nuk mjafton të kesh vetëm një organikë më të mirë teknikisht për të fituar ndeshjet, por duhet që të sakrifikosh dhe të japësh gjithmonë maksimumin në fushë.
Vendi i dytë në renditje? Nuk mendoj për klasifikimin, pasi kurrë nuk fokusohem tek objektivat afatgjatë. E rëndësishme është të punosh mirë dhe gjithmonë të kërkosh të përmirësohesh, pikërisht këtë po bën skuadra dhe jam shumë i lumtur. Sezonet e fundit nuk kanë qenë pozitive dhe grupi po jep maksimumin për të ndërtuar diçka të rëndësishme.
Donaruma? Po tregon se ka potencial për t’u bërë një kampion i madh në të ardhmen dhe është shumë i lidhur me Milanin. Jam i bindur që do qëndrojë shumë vite në Milano. Lokateli? Kundër Kievos tregoi edhe një herë tjetër se mund të mbështetem tek ai”.
Milani është kthyer përsëri një ekip pretendent dhe pas kësaj kthese drastike fshihen vendimet e trajnerit Montela, i cili ka bërë ndryshime thelbësore jo vetëm në lojë, por edhe në jetën e përditshme të klubit kuqezi: Montela gjatë javës detyron shpesh ekipin të luajë regbi. Nuk kërkon të gjejë grintën në këtë lojë, por që t’i dhurojë harmoni grupit. Pas sezoneve të fundit zhgënjyese, trajneri i ri në fillim po punon me mentalitetin e lojtarëve. Gjatë javës, ai u tregon në video futbollistëve momente e tyre më të mira, teksa i thotë se, “ju e konsideroni veten normalë, por nuk e dini se keni potencial të madh dhe jeni më të mirët”.
Seancat stërvitore janë “off limits” për gazetarët dhe tifozët. Këtë strategji Montela e ka përzgjedhur për të ribashkuar grupin dhe ta mbrojë atë nga faktorët e jashtëm. Ata që janë treguar të vëmendshëm nuk do t’i ketë shpëtuar fakti që sa herë fiton në këtë sezon, Milani feston i bashkuar me tifozët.