Konsumatorët braktisin blerjet e mëdha

Dobësitë e konsumatorëve për të blerë mallra të qëndrueshëm u thelluan edhe më shumë në tremujorin e tretë të vitit aktual. Banka e Shqipërisë në vrojtimin e konsumatorëve vërejti se balanca e konsumatorëve për blerje të mëdha shënoi rënien më të madhe që nga tremujori i parë i vitit 2015. Balanca e blerjeve të mëdha nga konsumatorët shënoi -62 pikë përqindje, nga -60.9 që ishte në tremujorin e tretë. Treguesi i besimit konsumator (TBK) ra me 0.5 pikë përqindje në tremujorin e tretë të vitit, pas përmirësimit të lehtë një tremujor më parë. Banka e Shqipërisë  sqaroi se, balancat të cilat kontribuuan në kahun rënës për vlerën e TBK-së lidhen me pyetjet për situatën e të ardhurave dhe shpenzimeve (balanca ra me 2.8 pikë përqindje) dhe për blerjet e mëdha (balanca ra me 1.3 pikë përqindje). Ndërkohë, dy balancat e tjera formuese të të besimit konsumator, situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend dhe situata financiare e pritur e familjes, shënuan rritje të lehta me përkatësisht 1.3 dhe 0.9 pikë përqindje. Balanca të tjera nga vrojtimi i besimit të konsumatorit si blerjet e mëdha në të ardhmen, situata aktuale dhe e pritur e kursimeve shënuan rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Kriza ekonomike dhe pasiguria për të investuar apo shpenzuar shuma të mëdha ka ulur shitjet e mallrave apo shërbimeve që kushtojnë dhe “rëndojnë” xhepat e tyre.
Në një kohë kur kursimi duket se është trendi i të gjithëve, individët kanë hezituar të shpenzojnë shuma të mëdha për blerjen e shtëpive, elektroshtëpiakeve, mobilieve, makinave, etj. individët janë gjithnjë e më pak të prirur të konsumojnë, e më tepër në investime të shtrenjta në një periudhë kur mungojnë garancitë për atë çka do të ndodhë më pas.