Kaosi me universitetet, maturantët mbesin rrugëve

Ivana ERVISHI

Fillimi i vitit të ri akademik të enjten (20 tetor) pa mijëra studentë që iu kthyen auditorëve të universiteteve në Shqipëri, ndërsa mijëra të tjerë kanë mbetur ende pezull në pritje të përfundimit të skemës së shumë kundërshtuar të pranimeve.
Në një tubim para Korpusit të Universitetit të Tiranës, lëvizja studentore “Për Universitetin” shpalosi banerin “Studim, Revoltë #rezistenca vazhdon”.
Lëvizja e quajti këtë “vitin akademik më të çuditshëm dhe më problematik në historinë e Shqipërisë” dhe deklaroi se, rezistenca kundër reformës aktuale të arsimit të lartë do të vazhdojë.
“Mijëra studentë janë akoma, duke pritur të regjistrohen në universitetet publike. Mijëra kuota të këtyre të fundit janë akoma bosh… Kaosi u ngjiz me udhëzimin nr. 13 të MAS në korrik 2016”, deklaroi Lëvizja për Universitetin.
“Nga njëra anë u futën universitetet private në listën e preferencave të maturantëve dhe nga ana tjetër u ndërtua një skemë e koklavitur aplikimi dhe regjistrimi, efekti imediat i të cilës ishte paniku i maturantëve se do të mbesnin pa shkollë”, shtuan aktivistët.
Lëvizja për Universitetin e akuzoi qeverinë se ka krijuar panik te maturantët për t’i shtyrë ata drejt universiteteve private, ndërsa dënuan mungesën e transprancës nga institucionet publike dhe private të arsimit të lartë për të regjistruarit dhe kuotat e mbetura bosh.
Klaudina Kuçi, 18 vjeçe ndihet e lehtësuar që peripercitë e regjistrimit në universitet morën fund për të në post-raundin e parë të regjistrimeve.
“Skema e pranimit në çastin e parë na bëri të humbim shpresat (se do të pranoheshim në universitet) dhe na krijoi ndjesinë se ishim të pavlerë, ndërsa lodhja e 12 viteve u duk se humbi për një ditë”, tha ajo për BIRN.
“U regjistrova të hënën në universitet dhe sot u ndesha me radhë në sekretari, paqartësi për oraret dhe sallat, si dhe shumë pasiguri për mënyrën se si do të rregullohen punët në vijim”, shtoi Kuçi për BIRN.
Ministria e Arsimit e shtyu afatin e aplikimeve dhe regjistrimeve për fazat e tjera të pranimeve deri më 27 tetor, kohë kur mendohet se do të plotësohen kuotat e mbetura bosh – veprim të cilin Lëvizja Për Universitetin e konsideroi si pranim të dështimit të skemës.
“Sistemi sa vjen e po degradon. Tarifat rriten vit për vit dhe po bëhen të papërballueshme për studentët, duke detyruar disa të ndërpresin studimet që të punojnë”, tha për BIRN Jonis Metaj, aktivist i Lëvizjes dhe student i masterit në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.
“Studenti shihet si klient pa të drejtë vendimmarrjeje, ndërsa diploma e ka humbur vlerën. Ne kërkojmë një sistem që i mundëson studentit të përqendrohet të mësimet në vend të shqetësimit se ku do t’i gjejë paratë për t’u arsimuar”, përfundoi ai.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, mbrojti skemën e ndryshuar të regjistrimeve si “më pranë meritës se vitet e mëparshme”, por pranoi se procesi nuk është perfekt.
“Skema e re e pranimeve në universitet është e duhura. Ju garantoj që në përmbylljen e procesit do të kemi të gjithë raportimet mbi treguesit e përmirësuar dhe dëshmitë që pas ndjekjes me rigorozitet të hapave, gjithçka do të jetë në rregull dhe ata me rezultate më të larta do të regjistrohen në universitet”, deklaroi Nikolla.
Sipas ministres deri tani janë regjistruar 19,165 studentë – 15,022 prej të cilëve në institucione publike.
Lëvizja për Universitetin e quajti këtë proces si kalvar torturues për studentët dhe u bëri thirrje atyre të bashkohen me përpjekjen e saj për ndërtimin e një universiteti publik të ri.
“Një universiteti ku dyert do të jenë të hapura sipas meritës, arsimimi nuk do të kushtojë para, por vetëm përpjekje studentore, studentët dhe pedagogët do të jenë rithemeluesit e universitetit dhe dija të ketë karakter kritik e universal… duke i shërbyer zhvillimit dhe emancipimit të të gjithë shoqërisë”, deklaroi Lëvizja.
MAS e ndryshoi procesin e pranimeve në universitet në çastin e fundit, duke ndryshuar kështu peshën e lëndëve në fakultetet përkatëse dhe duke krijuar sistemin me faza që favorizoi vetëm maturantët ekselentë.
Ndryshimet u pritën me protesta nga qindra maturantë të shqetësuar, që kërkuan rikthimin e sistemit të vjetër ku një maturant shpallej fitues në vetëm një degë.