Dëme të mëdha nga përmbytjet në Lezhë, banorët: Duam ndihmë

Mungesa e reshjeve ka ndihmuar në tërheqjen e ujit nga zonat e përmbytura në Lezhë. Shumë sipërfaqe bujqësore nuk janë më në ujë, kurse në rrugët e qytetit të Lezhës nuk ka probleme. Por në zonat rurale dëmet janë të mëdha në toka dhe kultura bujqësore të dëmtuara, bagëti të ngordhura dhe dëme në banesa. Në disa fshatra banorët kërkojnë zhbllokimin e kanaleve kulluese.
Dhjetëra shtëpi në Njësinë Administrative të Zejmenit janë ende të rrethuara nga uji, ndërsa qindra hektarë tokë bujqësore të përmbytura. E vetmja mënyrë për të lëvizur banorët është zbathur ose me mjete të rënda, pasi niveli i ujit në rrugë dhe oborret e shtëpive i kalon të 30 cm.
Banorët thonë se është hera e tretë që përmbyten brenda tre javëve, ndërsa vërshimi i ujit u ka shkaktuar shumë dëme. “40 cm uji në shtëpi. Çdo gjë ka përfunduar, do me thënë me të gjitha çfarë kam pasur. Jemi munduar t’i shpëtojmë të gjitha pajisjet, frigoriferin, lavatriçen. Për një javë jemi përmbytur tre herë. Po të ishin hapur në kohën e duhur kanalet, këtu nuk do ishte përmbytur se unë u bëra 20 vjet që jam këtu. Nuk ka bërë vaki, vinte uji 20 cm, por jo kështu”, shprehet një banore.
“Dëme në bagëti e në pula e bereqet. Na mbyti uji. Mbjellim, s’korrim, as bëhet hurdhra, as bëhet qepa. Misrin, kovat me miell, bidonat i ka marrë të gjithë uji. Vetëm tani jemi përmbytur tre herë”, thotë një banor.
Në zonat e përmbytura ishte dhe kryetari i Partisë Demokratike të Lezhës, Paulin Marku, që u njoh nga banorët me situatën e krijuar. “I bëj thirrje të gjitha institucioneve qëndrore e lokale që të marrin seriozisht këtë lloj shqetësimi. Kryeministri Rama para dy ditëve ishte në Troshan, kishte një takim me fermerët. Unë nuk do ta komentoj politikisht, pasi jemi në një situatë tepër delikate për familjarët në rrethin e Lezhës, por për fermerët, ai duhet të mbajë një qëndrim, sepse sot kanalet kryesore janë pa kullim”, u shpreh Marku.
Ende nuk ka një shifër të saktë të banesave të përmbytura dhe dëmeve nga vërshimi i ujit, por sipas banorëve asnjë përfaqësues i Shtabit të Emergjencave nuk është parë në zonë.

Gërryhet argjinatura, rrezikohen 40 familje në Vaun e Dejës

Reshjet që kanë shoqëruar territorin e Qarkut të Shkodrës gjatë 48 orëve të fundit kanë krijuar probleme në territorin e Bashkisë Vau Dejës. Përroi Glina në lagjen “Kapedan”, si shkak i prurjeve të mëdha rrezikon mbi 40 familje në këtë zonë.
Nënkryetari i Bashkisë Vau Dejës, Admir Hasamegaj, apelon për një ndërhyrje emergjente për riparimin e argjinaturës mbrojtëse të përroit.“Është bërë dëmtimi i argjinaturës së këtij përroit këtu, i cili rrezikon përmbytjen e mbi 40 banesave në këtë lagje. Ne, kohët e fundit kemi bërë një ndërhyrje këtu ku kemi bërë thellimin e këtij shtrati dhe rreshjet e mëdha tregojnë që ajo nuk është e mjaftueshme. Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Brendshme që të bëjë një ndërhyrje emergjente këtu në këtë përrua, u nevojitet betonimi i këtyre dy argjinaturave për të mbrojtur jetën e këtyre banorëve”, shprehet Hasanaj.
Përveç rrezikut që i kanoset shtëpive, ka pasur edhe probleme me shëmbje të rrugës në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës. Situata thonë zyrtarët vendorë, nuk është aspak normale, ndërkohë që pritet përkeqesimi për shkak të reshjeve që parashikohet të jenë prezente deri në fund të javës.