Ançeloti: “Kemi ende probleme”

Karlo Ançeloti i ka përgëzuar futbollistët e tij për paraqitjen e zhvilluar ndaj PSV-së, duke i mundur me rezultatin 4-1. Trajneri italian beson se kanë ende elementë që duhen përmirësuar dhe se ai nuk do të ngurrojë t’i kritikojë futbollistët e tij, pavarësisht se mund të kenë fituar një ndeshje. “Jam i kënaqur. Ishte gjithçka ashtu siç e kishim parashikuar. Luajtëm me ritëm të lartë nga minuta e parë dhe deri në fund. Reagimi ishte i duhuri, por nuk duhet të mjaftohemi me kaq, pasi duhet të kemi një aksion në vazhdim dhe jo reagim sporadik. Këtu u referohem rezultateve që duhet të kemi. Gjithsesi, skuadra tregoi motivim dhe kjo më pëlqen. Sigurisht që duhet të ketë gjithnjë kritika. Në fundin e pjesës së parë dhe në fillimin e së dytës patëm disa probleme. Fatmirësisht nuk zgjatën shumë dhe kjo ndikoi që fituam. Unë jam në këtë detyrë për t’u treguar futbollistëve se çfarë nuk shkon. Kam në dispozicion lojtarë të zgjuar, të cilët e kuptojnë shpejt dhe dinë se si të përmirësohen. Për mua, kjo është më e rëndësishmja. Të punoj me futbollistë që janë profesionistë të vërtetë dhe që besojnë në atë që bëjnë”, u shpreh Ançeloti.
Më pas trajneri i Bajernit foli edhe për rikthimin e Riberisë. “Nuk besoj se do të qëndrojë gjatë jashtë fushave. Në fillimin e javës tjetër do të nisë stërvitje individuale dhe mbase për 10 ose 15 ditë do të jetë përsëri i gatshëm”, tha Ançeloti.
Fitore të lehtë arriti edhe Bajern Mynih që u imponua 4-1 ndaj PSV Eindhoven, ndërsa Atletico Madrid siguroi fitoren e tretë në Grupin D pasi kaloi rusët e Rostov 1-0 me gol të Carrascos. Në Grupin B, Napoli u ndal në 3-2 nga Beshiktashi në “San Paolo”, por mbetet në krye me 6 pikë, ndërsa Beshiktash u ngjit në kuotën e 5 pikëve i ndjekur nga Benfica me 4 pas suksesit 2-0 në fushën e Dinamos së Kievit.