Abrashi kalon dëmtimin

Amir Abrashi rikthehet i gatshëm për të zbritur në fushë pas dëmtimit të pësuar në kokë gjatë seancës stërvitore me Freiburgun në datën 11 tetor. Frika më e madhe ka kaluar për mesfushorin shqiptar, i cili është vënë në dispozicion të trajnerit, Christian Streich, por rikthen qetësinë edhe në kampin e kombëtares shqiptare, pasi ai do të jetë i gatshëm për sfidën e 12 nëntorit kundër Izraelit në “Loro Boriçi”.
Lajmin e bën të ditur gazeta “Kicker”, sipas së cilës, mesfushori e ka hedhur pas krahëve dëmtimin dhe është rikuperuar plotësisht. “Ai është bashkuar me skuadrën në seancat stërvitore të ditës së martë dhe të mërkurë dhe është gati për të zbritur në fushë”, thekson “Kicker”. Si pasojë e dëmtimit të pësuar në kokë, Abrashi nuk u aktivizua në ndeshjen e kësaj fundjave, ku Freiburg u mund 2-1 nga Hoffenheim. Ai cilësohet si një nga lojtarët kyç të ekipit debutues në Bundesliga, pasi pa të në fushë skuadra has vështirësi të mëdha në organizimin e lojës. Aktualisht, Freiburg renditet në vendin e 11 me 9 pikë dhe takimin e radhës do ta luajë të shtunën kundër Augsburgut.