Ballina Kryesore 10 mijë kuota në Universitete të bllokuara nga klientelizmi

10 mijë kuota në Universitete të bllokuara nga klientelizmi

Dje universitet hapën dyert, por nuk kanë studentë për të mbushur auditoret, por 40 për qind e auditoreve pritet të mbeten të zbrazura edhe për shumë ditë të tjera, pasi mbi 10 mijë maturantë nuk kanë arritur të regjistrohen. Bazuar në shifrat zyrtare, 40% e studentëve të vitit të parë nuk kanë mundur të regjistrohen, pasi janë ndëshkuar nga formula e re.
Sipas të dhënave që janë të publikuara në Rrjetin Akademik Shqiptar, organizatës që ka krijuar sistemin online të aplikimit, në fund të fazës së dytë të regjistrimeve ka ende 10 mijë kuota të paplotësuara. Më konkretisht bëhet fjalë për 9848 vende të mbetura bosh, nga rreth 25 mijë të miratuara në total. Dhe kjo jo se nuk ka kërkesa, pasi mijëra 18-vjeçarë presin me ankth spostimin e vijës së kuqe të fituesve, por amullia e krijuar është rezultat i formulës së re që po aplikohet këtë vit.
Për herë të parë pas viteve 1990-të, referuar edhe statistikave mund të themi se studentët kanë “braktisur” edhe degët elitare, ku konkurrenca ndër vite ka qenë shumë e ashpër.
Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), pranë Universitetit të Tiranës, një nga degët më të preferuara jo vetëm tek ne, por në mbarë botën, janë regjistruar deri më tani vetëm 38 studentë dhe ka edhe 163 vende të lira. Paradoksalisht, në degën Gjuhë Ruse, po në Universitetin e Tiranës, nga 65 kuota kanë mbetur të paplotësuara vetëm 9.
Përballë së njëjtës situatë ndodhet edhe Fakulteti Ekonomik, njëri ndër fakultetet më të mira në vend dhe mjaft i lakmuar nga të rinjtë. Pas një muaj regjistrimesh, dekanati i këtij fakulteti është detyruar të kujtojë studentët, se në këtë fakultetet ka ende 500 vende të lira, nga 900 që ka në total.
Të njëjtin “fat” duket se kanë pasur degët aq shumë të preferuara të politeknikut. Në degën Inxhinieri Mjedisi, janë regjistruar vetëm 4 studentë nga 50 që është numri i kuotave të përcaktuara, ndërsa tek Inxhinieria e Ndërtimit janë regjistruar deri më tani vetëm 16 studentë, duke lënë ende të lira plot 84 kuota.
Në Degën e Farmacisë, të Universitetit të Tiranës, janë regjistruar vetëm 26 studentë, ndërkohë që janë të paplotësuara edhe 61 vende.
Situata është më alarmante në universitet e rretheve, ku shumë degë rrezikojnë të mbyllen. Vetëm në Universitetin e Sporteve kuotat janë plotësuar 100%.
Por pavarësisht kësaj situate dramatike, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e ka konsideruar të suksesshme formulën e përzgjedhur. “Skeptikët sulmuan ligjin e ri, por u tregua e kundërta. Kuotat dhe tarifat u përcaktuan nga vetë studentët. Skema e pranimeve është ngritur po nga vetë studentët”, është shprehur ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku së bashku me rektorin e Tiranës, Mynyr Koni, u ka uruar 120 mijë të rinjve ditën e parë të vitit akademik.
Por nisja e vitit të ri akademik me 40% më pak të studentëve të parashikuar që do të ndjekin vitin e parë. ka shkaktuar debate të forta edhe gjatë seancës së sotme parlamentare. Deputët e opozitës kanë akuzuar kryeministrin Rama. se i detyroi maturantët më të mirë që të zgjidhnin nën presion ose një jo të mirë, ose tek privati. Por kryeministri Rama i ka siguruar se të gjitha këto akuza do të bien në fund të procesit. “Mos u shtoni më kot ankthin maturantëve. Kuotat do të jenë të gjitha në dispozicion deri në fund të procesit. Dhe ju siguroj që, vetëm në fund të këtij procesi do të kuptoni se çfarë ndryshimi thelbësor ka ndodhur dhe çfarë  cilësie është garantuar për shkak të filtrave të dy raundeve të aplikuara deri më tani”, ka qenë kjo deklarata e Ramës nga foltorja e Parlamentit.
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, pas datës 20 tetor, listat e fituesve do të spostohen sërish dhe regjistrimet do të bëhen me faza 48-orëshe derisa të plotësohen të gjitha kuotat. Ky proces parashikohet të mbyllet deri me datë 27 tetor. Por, nëse kuotat nuk u plotësuan në dy muaj regjistrime, sa shance ka që ata të plotësohen vetëm përgjatë një jave?
Për Ndriçim Mehmetin, një nga kritikët më të ashpër të formulës së re të pranimeve në universitet, ky është dështimi më i madh i historisë së universiteteve.
“Para disa ditësh, kryeministri Rama deklaroi se “arsimi po përjeton kthesën më të madhe në 25 vite”, si dhe “ndryshime epokale”, po vërtetohen në praktikë. Me 9 mijë kuota më pak, më mbarë se kaq, Ministria e Arsimit nuk e ka nisur asnjëherë një vit akademik, jo në këto 25 vitet e fundit, por që kur është krijuar Universiteti i parë në Shqipëri. Mendoj që KM Rama ka të drejtë që po përjetojmë ndryshimin më të madhe epokal, atë të shkatërrimit të arsimit”, thotë Mehmeti që ka qenë drejtor i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit gjatë viteve 2006-2013.

Vendet bosh në universitetet Publike

Universiteti i Tiranës       2479
Universiteti i Durrësit    785
Universiteti i Mjekësisë                343
Universiteti Politeknik   1017
Universiteti Bujqësor     575
Universiteti i Elbasanit   1223
Universiteti i Shkodrës  900
Universiteti i Gjirokastrës             644
Universiteti i Korçës        596
Universiteti i Vlorës        920
Totali i kuotave bosh      9848

Kolapsi i qeverisë me shpalljen e fituesve

Këtë vit akademik pati një kolaps me shpalljen e fituesve për në universitet për shkak të aplikimit të një sistemi të ri. Edhe pse ministrja e Arsimit dhe Kryeministri Rama premtuan që nuk do të mbeteshin maturantë pa shkollë, sepse kishte kuota të shtuara, sërish në fazën e dytë rezultoi që nxënës me mesatare mbi 9 nuk kanë fituar asnjë program studimi. Procesi i Maturës Shtetërore këtë vit ka pësuar disa ndryshime që kanë të bëjnë jo vetëm me procesin e përzgjedhjes së fituesve, por edhe me aplikimin në sistemin online. Kjo do të thotë që, nëse vitin e kaluar tek formulari A1 aplikohej vetëm për universitetet publike tashmë në këtë aplikim përfshihen edhe universitetet private. Me ligjin e ri të Arsimit të Lartë, në kuadër të autonomisë kriteret do t’i vendosin universitetet. Këto të fundit nuk kanë një formulë të njëjtë për pranimet, pasi një universitet mund t’i japë mesatares 50% dikush tjetër 30% etj. Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit thuhej që në datën 29 korrik niste procesi i hedhjes së notave mesatare në sistem. Nga data 29 e deri në ditën e aplikimit, sipas kalendarit për qark a qytet, për të gjithë maturantët do të hidhej nota mesatare në sistem. Nëse vitin e kaluar, kishte shumë rëndësi përzgjedhja për 10 preferencat, por sidomos renditja e tyre, sivjet nuk kishte përzgjedhje sipas preferencave të para. Këtë vit, në rast se një maturant e gjen emrin mbi vijën e kuqe, në disa degë njëherësh, ai e merr vendimin vetë për njërën prej tyre. Pra, nuk ka rëndësi renditja e degëve. Ndërkohë, raundi i dytë rinis nga e para. Kur një maturant e sheh që nuk ka fituar në asnjë degë, bën renditjen e re për të fituar universitetin. Nota mesatare për pranim në institucionet e Arsimit të Lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm: Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Kjo lloj formule solli një amulli totale në radhët e maturantëve që prisnin të vijonin ëndrrën e tyre për të ndjekur studimet e larta.

Esmeralda KETA

Exit mobile version