Zgjedhjet, kusht i BE për hapjen e negociatave

Pavarësisht përgjigjes pozitive që pritet të japë këto ditë Komisioni Europian për Shqipërinë, negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian do të nisin në fund të vitit të ardhshëm. Është ky konkluzioni i Njësisë së Inteligjencës Ekonomike, e cila në raportin e saj për Shqipërinë 2016-2017, thekson se kusht për çeljen e negociatave janë zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit të ardhshëm.
“Koalicioni qeveritar, i përbërë nga Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) e Kryeministrit Edi Rama dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), ka një shumicë të madhe, duke kontrolluar 83 nga 140 vende në Parlament.
Mandati i qartë i qeverisë dhe ngjashmëria e politikave përqafuar nga partnerët e koalicionit duhet të bëjë të mundur zbatimin e reformave të rekomanduara nga BE-ja.
Njësia e Inteligjencës Ekonomike pret që, në qoftë se Shqipëria përshpejton procesin e reformave deri në fund të vitit 2016, Shqipëria mund të marrë një datë për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE-në. Por këto nuk kanë të ngjarë të fillojnë jo më herët se deri në fund të 2017-ës”, thuhet në raport.
Sipas saj, qeveria përballet me sfidën e konsolidimit fiskal, duke u përpjekur për të nxitur rritjen ekonomike. “Ne parashikojmë që rritja vjetore e PBB-së reale do të përshpejtojë deri në 3% në vitin 2016 dhe 3.4% në vitin 2017, nga 2.8% që ishte në vitin 2015, duke përfituar nga norma historikisht të ulëta të interesit”, theksojnë specialistët e “The Economist” në raportin e tyre.
Shënim: The Economist Intelligence Unit – Njësia e Inteligjencës Ekonomike është një botues i specializuar që i shërben kompanive për themelimin dhe menaxhimin e operacioneve financiare përtej kufijve kombëtarë britanikë. Për 60 vjet ajo ka qenë një burim i informacionit mbi biznesin e zhvillimet, trendet ekonomike dhe politike, rregulloret e qeverisë dhe praktika e korporatave në mbarë botën. Njësia e Inteligjencës Economist jep informacionin e saj në katër mënyra: nëpërmjet portofolit të saj dixhital, ku analiza e fundit është e përditësuar në të përditshme; përmes produkteve të abonimit të shtypur, duke filluar nga gazetat në punimet vjetore të referencës; përmes raporteve hulumtuese; si dhe duke organizuar seminare dhe prezantime.

Herion MESI