Shërbimi taksi në Shqipëri, ndër më të shtrenjtët në rajon

Tarifat e shërbimit taksi në Shqipëri nuk janë edhe aq të lira në krahasim me vendet fqinje, ato të rajonit. Kështu udhëtimi për 1 kilometër kushton rreth 1.81 euro. Megjithatë, në Shqipëri, nuk zbatohet gjithmonë tarifimi me taksimetër, ndaj dhe është e vështirë që të përcaktohet një shifër e saktë, qoftë edhe mesatarisht. Është faqja e statistikave ‘Numbeo’ që jep të dhëna për këtë shërbim në qendra të ndryshme të botës. Sipas të njëjtit burim, në rajon Kosova zbaton ndër tarifat më të ulëta. Një kilometër me shërbim taksi kushton rreth 0.50 cent. Duke u ndjekur më pas nga Sarajeva në Bosnjë – Hercegovinë, që llogarit një çmim prej 0.51 cent. Edhe në Beograd, 1 kilometër shërbim taksi kushton rreth 0.50 cent. Roma (ndër vendet e rajonit) zbaton tarifa të larta të shërbimit taksi. Një kilometër në kryeqytetin italian llogaritet në 1.5 euro. Në Athinë, i njëjti shërbim kushton 0.74 cent, ndërsa në Stamboll 0.59 cent. Natyrisht që këto janë tarifa që zbatohen në një trafik normal dhe jo në një ditë të rënduar, kur çmimet mund të shkojnë edhe më shtrenjtë.