Rama firmosi në Beograd projekte në emër të Kosovës

Për ndërtimin e autostradave dhe linjave hekurudhore që kalojnë nëpër territorin e Kosovës qeveria e Shqipërisë dhe e Serbisë kanë nënshkruar protokoll bashkëpunimi pa e marrë pëlqimin e qeverisë së Kosovës. Një veprim i tillë i palës shqiptare lë të kuptohet, të paktën nga pala serbe, si njohje e sovranitetit serb mbi Republikën e Kosovës, prandaj po kundërshtohet nga zyrtarët shtetërorë të vendit.
Për autostradat dhe linjat hekurudhore që nisen nga Serbia dhe të cilat kalojnë nëpërmjet territorit të Kosovës për të dalë në Shqipëri zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, Brunilda Paskali dhe sekretari i Shtetit në Ministrinë e Tregtisë së Serbisë, Stevan Nikçeviç, kanë nënshkruar protokoll bashkëpunimi pa e marrë pëlqimin e qeverisë, që udhëhiqet nga Kryeministri i vendit, Isa Mustafa.
Ky veprim i palës shqiptare lë të kuptohet, të paktën nga pala serbe, si njohje e sovranitetit serb mbi Republikën e Kosovës.
Sipas dokumenteve zyrtare, që ka arritur t’i sigurojë gazeta “Zëri”, dy përfaqësuesit e qeverive, ajo e Shqipërisë dhe e Serbisë, Paskali dhe Nikçeviç, më 15-16 prill 2015, kishin negociuar Protokollin e Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me ç’rast ishin dakorduar që të paraqesin projekte të veçanta, të cilat do të prezantohen pranë institucioneve të Bashkimit Evropian, me qëllim mundësimin e financimit të tyre nga fondet e kësaj të fundit. Pak muaj pasi ka nënshkruar protokollin si kryesuese e delegacionit shqiptar, Paskali ka marrë detyrë të re, atë të zëvendëskryetares së Bashkisë së Tiranës.

Mustafa: Jo situatë ideale me Shqipërinë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se bashkëpunimi me Shqipërinë nuk mungon, por që siç është shprehur ai, është e natyrshme që në marrëveshjet e arritura, të mos ketë një situatë ideale si çdo gjë që është shkruar të zbatohet me kohë.
Kreu i ekzekutivit, këto komente i bëri në konventën e parë të industrisë së drurit në Kosovë.
“Unë vlerësoj se ka rezultat shumë të mira sa i përket avancimit të bashkëpunimit tonë me Shqipërinë. Të gjitha marrëveshjet po punohet që të zbatohen. Natyrisht se nuk arrijmë në asnjë moment që ne ta kemi një situatë ideale si çdo gjë që është shkruar të zbatohet me kohë, por ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin, marrëveshjet dhe me implementimin e tyre dhe nuk shoh asnjë arsye që deri tash të krijojmë ndonjë ambient të diskutimeve për çështjet, të cilat në mënyrë shumë normale ne mund t’i diskutojmë bashkërisht”, ka deklaruar Mustafa.

Hoxhaj: Dy procese paralele të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj pas përfundimit të vizitës në Suedi po qëndron në Mynih të Gjermanisë, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik për Ballkanin Perëndimor të organizuar nga dhomat e tregtisë të Mynihut dhe Bavarisë së Epërme, si dhe qeverisë së këtij shteti.
Pjesëmarrës është edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe përfaqësues të vendeve të rajonit.
Në fjalën e tij, Hoxhaj ka thënë se Kosova është duke punuar intensivisht në dy procese paralele që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të saj, ku bën pjesë pjesëmarrja dhe prezantimi i potencialeve në forume ekonomike me vendet e tjera të Ballkanit përfshirë edhe këtë që aktualisht po mbahet, si dhe në kuadër të Procesit të Berlinit ku deri më tani Kosova ka përfituar disa projekte të rëndësishme.
Së dyti, Kosova në axhendën e saj bilaterale ka takime të veçanta me shtete ku vazhdimisht promovon diplomacinë ekonomike dhe në fokus janë organizimi i forumeve të përbashkëta ekonomike.
“Institucionet e Kosovës janë duke punuar intensivisht për zhvillimin ekonomik të shtetit tonë. Aktualisht janë dy procese paralele me prioritet që edhe ne si MPJ po i shtyjmë përpara. E para është puna në forume të përbashkëta ekonomike me vendet e tjera të Ballkanit dhe me përkrahjen e BE-së dhe qeverive të tjera për të përfituar projekte të përbashkëta. Në anën tjetër, në axhendën bilaterale kemi takime veç e veç me shtete për promovimin e investimeve direkte në Kosovë dhe forcimin e marrëdhënieve në mes shteteve, ku prioritet është organizimi i forumeve të përbashkëta”, ka thënë Hoxhaj,

“Zëri”