Qeveria lë në harresë lumturimin e Nënë Terezës

Për të tretin vit radhazi, qeveria ka lënë në harresë përvjetorin e lumturimit të Nënë Terezës, duke mos organizuar asnjë aktivitet përkujtimor në nder të saj. Edhe këtë vit nga kryeministria, ministria e Kulturës apo Bashkia Tiranë nuk u organizua asnjë ceremoni për nderimin e figurës së Nënë Terezës.   Nënë Tereza mbushi dje 13 vjet nga lumturimi i saj. Anjeze Gonxhe Bojaxhiu e njohur në mbarë botën si Nënë Tereza e Kalkutës, emër të cilin e mori kur themeloi urdhrin “Misionarët e Dashurisë “ në vitin 1951 për t’u shërbyer të varfërve dhe të pashpresëve të Indisë, u lumturua më 19 tetor 2003 nga Papa Gjon Pali i 2 në Vatikan.  Çdo 19 tetor, veçanërisht Shqipëria dhe India, kujtojnë përvjetorin e lumturimit të Nënës Terezë, Gonxhe Bojaxhiut, e cila nuk është vetëm festë liturgjike, por Festa Kombëtare e Saj. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte.  Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Në vitin 2003 aeroportit  të Tiranës, iu dha emri “Nënë Terezë”, ndërsa në hyrje të aeroportit u inaugurua edhe busti i saj.  Nënë Tereza ka lindur në Shkup më 26 gusht 1910 në një familje kosovare dhe kur ishte 18 vjeçe u bë kandidate e Motrave të Loretos, të cilët kryenin misione humanitare në Indi. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut (Nikollë Bojaxhiu) me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Ajo  vdiq në 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.  Më 1991, Nënë Tereza kthehet për herë të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tiranë, Shqipëri. Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende.  Gjatë viteve, Bamirësia e Misionareve të Nënë Terezës u zgjerua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë “më të varfërve nga të varfërit” në 450 qendra në mbarë botën.   19 tetori, dita e lumturimit të Nënë Terezës është shpallur festë kombëtare në Shqipëri. Nënë Tereza prehet në selinë e Urdhrit të  Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta.  Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, në vitin 2003, Nënë Tereza u shpall “E Lumturuar” nga Papa Gjon Pali i II, një moment që i ka hapur rrugë shenjtërimit të saj. Më 5 shtator 1997, jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë. Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi e lutjeje për njerëz të besimeve të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi. Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtëzakonshme. Duke iu përgjigjur thirrjes së Jezusit “Eja, të jesh drita ime!”, u bë Misionare e Bamirësisë, “Nënë e të varfërve”, simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit. Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit. Më 20 dhjetor 2002, miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj.  Ati i Shenjtë Gjon Pali i Dytë, pas shqyrtimit të mbi pesëmijë faqe dëshmish mbi jetën, veprën dhe mrekullitë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, vendosi që më 19 tetor 2002, në Bazilikën e Shën Pjetrit ta shpallë shenjtëreshë këtë bijë shqiptare, të cilën mbarë bota e njohu dhe e quajti Nënë. Në arsyetimin e këtij vendimi historik për beatifikimin e Bijës Shqiptare – Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në mbarë botën si Nëna Terezë e Dashurisë, përmenden edhe 122 mirënjohje ndërkombëtare, përveç Çmimit Nobel për Paqe, më 1979, si dhe disa mrekulli, të cilat vështirë mund të shpjegohen edhe shkencërisht.  Komisioni Kishtar për Beatifikim, pasi ka shqyrtuar 80 volume me 113 dëshmi e 35.000 faqe të shkruara me akte nga jeta dhe vepra e Shenjtëreshës shqiptare, ka përgatitur materialin sintezë nga jeta, vepra dhe mrekullitë e Nënës Terezë, në ekstraktin 5000 faqesh të shkruara dhe pas analizimit të tij, Papa ka marrë vendimin për shenjtërimin zyrtar të Gonxhe Bojaxhiut. Në Shqipëri, viti 2003 u shpall nga qeveria shqiptare si viti i Nënë Terezës, vit kur të gjithë do të mendojnë rreth faljes, ngushëllimit e mirëkuptimit, kur të gjithë do të përcjellin mesazhin e Nënës Terezë, të mendojnë, të bëjnë më shumë për ata që kanë nevojë për zgjatjen e një dore. Tashmë, 19 tetori simbolizon ditën për më shumë lutje, besim e dashuri.

Biografi i Nënë Terezës e cilëson atë si “dashuri të pastër në veprim”

“Si do ta cilësoja Nënë Terezën? Ajo ishte dashuri e pastër në veprim”. Don Gjergji Lusha është biografi më i famshëm i Nënë Terezës së Kalkutës, i cili nga viti 1980 deri në 2002 ka shkruar për bamirësen 12 volume të përkthyera në 35 gjuhë. “Për herë të parë e takova në vitin 1969, kur isha student i Filozofisë në Romë dhe ajo ndodhej në qytet për të përuruar një nga shtëpitë e saj pritëse. Më pas, jemi takuar edhe shumë herë të tjera, as nuk e mbaj mend sesa. Kudo që ajo hapte misione të reja unë i qëndroja pranë”, tregon don Lusha. “Momentin më të bukur dhe emocionues e përjetuam në Oslo në vitin 1979, kur Nënë Tereza mori Çmimin Nobel për Paqen. Atë ditë kaluam shumë orë së bashku me bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë. Falë saj ishte një eksperiencë e jetuar në mënyrë të mrekullueshme”, vazhdon tregimin e tij don Lusha. Don Lusha sjell edhe një dëshmi domethënëse: “Unë me të flisja shqip dhe ajo e konsideronte veten shqiptare, fliste për Shqipërinë dhe shqiptarët si për atdheun dhe për popullin e saj. Vetëm rrallëherë përdorte anglishten për të shprehur terma që nuk i mbante mend në shqip. Nëqoftëse më kërkoni një përkufizim për të, iu përgjigjem se Nënë Tereza ishte dashuri e pastër në veprim, edhe pse është ende herët për të përfaqësuar në të vërtetë çka ajo ishte”.