Përmbyten 850 ha tokë në Lezhë, qeveria asnjë ndihmë

Lezha dhe disa fshatra notojnë nën ujë prej më shumë se 24 orësh. Situata ka qenë mjaft e rëndë gjatë ditës së djeshme, ndërsa asnjë zyrtar apo përfaqësues i Shtabit të Emergjencave nuk është parë në terren për t’u ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur. Gjendja mjaft kritike paraqitet në qytetin e Lezhës si pasojë e reshjeve të shiut. Në qytet rrugët janë të mbushura me ujë, dhe katet e para të banesave dhe shtëpive gjithashtu. Qarkullimi është bllokuar në hyrje-dalje të Lezhës. Sipas banorëve, situata më promblematike paraqitet brenda në qytet, ku po shkon drejt katastrofës. Lagjet “11 janari” dhe blloku i banimit “11.2” si si dhe oborret e shkollave janë të përmbytura, ku niveli i ujit arrin deri në 30 cm.
Drejtori i Shërbimëve Publike në Bashkinë Lezhë, Ndue Lushi thotë se, përmbytjet në qytet do të jenë të vazhdueshme, nëse nuk investohet në kanalizimet nëntokësore, të cilët nuk pëballojnë prurjet kur ka reshje të dendura shiu.

Me not në shtëpi

Shiu ka krijuar probleme edhe në lëvizjen e banorëve. Pamjet filmike të shfaqura në televizion u panë disa banorë që po kalonin me not për të shkuar në shtëpi. Banorët e irrituar u shprehën se nuk ka ardhur asnjë zyrtar për të parë gjendjen nga afër. Asnjë ndihmë për banorët që u janë mbytur shtëpitë. Dëmet janë të shumta, si në orendi, ashtu edhe në bagëti e të mbjella.
Përmbytje të mëdha janë bërë edhe në zonën fushore. Tokat bujqësore të Zadrimës, Torovicës dhe Bregut të Matit janë nën ujë. Edhe në fshatrat e Zejmenit dhe Blinishtit situata është mjaft kaotike. Në këto zona, uji ka shkuar deri në 70 cm dhe mjaft banorë janë bllokuar në banesat e tyre.
Në Blinishtit, administratori Sokol Luku thotë se, përmbytja ka ardhur si pasojë e bllokimit të kanaleve kulluese, ndërsa i apelon qeverisë që të alokojë fonde për të ndërhyrë. “Në Njësinë Administrative ndodhen rreth 500 ha tokë të përmbytura. I bëj thirrje qeverisë të ndërhyjë për pastrimin e kanaleve dhe alokimin e fondeve”, thotë administratori Luku.
Në fshatin Gajush, shumë banesa janë nën ujë, ku niveli arrin deri në 50 cm. Paraditen e djeshme u bllokua dhe lëvizja, pasi rrugët u mbuluan nga uji. Banorët thonë se, kjo situatë përsëritet sa herë që ka reshje shiu, ndërsa sipas tyre, asnjë përfaqësues i pushtetit qëndror nuk ka shkuar për ta parë situatën. “Kemi 1 metër ujë në banesë. Asnjë qeveritar nuk ka ardhur. Ju lutem përcillni shqetësimin tonë”, thonë banorët.
Situata mendohet se është krijuar nga bllokimi i një turbine shkarkimi pranë superstradës. Ministria e Bujqësisë është mjaftuar dje me një komunikatë për mediat, pasi vetë ministri Panariti ndodhet në Kinë. As vartësit e tij nuk kanë qenë në zonën e përmbytur. Edhe në Njësinë Administrative të Blinishtit janë disa banesa të përmbytura. Kreu i njësisë, Sokol Luku thotë se, përmbytja ka ardhur si pasojë e bllokimit të kanaleve kulluese, ndërsa i apelon qeverisë që të alokojë fonde për të ndërhyrë. Ndërsa në qytet shkak i përmbytjes është bërë vërshimi i lumenjve.
Si pasojë e prurjeve të shumta nga reshjet është rritur edhe niveli i Lumit Drin, i cili në disa zona rrezikon të dalë nga shtrati. Por ndonëse situata gjatë ditës së sotmë ka qenë mjaft kritike, asnjë përfaqësues i Shtabit të Emergjencave nuk është parë në terren për tju ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur, raporton gazetari që ndoqi nga afër situatën.

850 ha tokë nën ujë

Si pasojë e këtyre reshjeve, deri rreth orës 10:00 të ditës së djeshme, gjenden nën ujë, në Zadrimë rreth 350 hektarë tokë, në Torovicë rreth 350 ha, Zejmen-Barbullojë, rreth 150 hektarë. Në  rrethin Kurbin, nga përmbytja e kaluar kishte ende ujë të palarguar dhe ka shtesë në sipërfaqe nën ujë, kryesisht rreth nënkalimit të Laçit dhe në Sanxhak.

Duhet ndërhyrje në kanalizime

Drejtori i Shërbimeve Publike në Bashkinë Lezhë, Ndue Lushi thotë se, përmbytjet në qytet do të jenë të vazhdueshme nëse nuk investohet në kanalizimet nëntokësore, të cilët nuk përballojnë prurjet intensive. “Duhet një investim mjaft i madh për të ndërhyrë në të gjithë kanalizimin e qytetit. Të sigurohet një stacion pompimi vetëm për ujërat sipërfaqësore”, thotë Lushi. Vërshimi i përrenjve malor përmbyteti sërish dhe rrugët e qytetit të Lezhës. Niveli i ujit arriti në 30 cm, duke bllokuar hyrjet e pallateve.

Frrokaj: Sistemi i kullimit kaotik, do t’i kërkojmë ndihmë qeverisë

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj thotë se, sistemi i kullimit në Lezhë është kaotik prej disa vitesh. Frrokaj shprehet se është e pamundur që sistemi i kullimit të vihet në parametrat e duhur vetëm me investimet e Bashkisë prandaj do t’i kërkojë qeverisë ndihmë për të ndërhyrë. “Situata nga përmbytjet është mjaft e rëndë. Sistemi i kullimit në Lezhë nuk funksionon prej disa vitesh. Do t’i kërkojmë qeverisë ndihmë”, u shpreh për mediat kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.
Bashkia e Lezhës ka bërë të ditur se, stacioni i pompimit që bën evadimin e ujërave në qytet ka qenë jashtë funksioni gjatë natës si pasojë e mungesës së energjisë elektrike. Kjo ka bërë që uji të qëndrojë për një kohë të gjatë nëpër rrugë dhe lagje të Lezhës, ndërsa është bërë e ditur se energjia është rikthyer dhe situata ka nisur të përmirësohet. Bashkia ka angazhuar punonjësit e Shërbimeve Publike, të cilët nisën ndërhyrjen në zonat ku kishte probleme nga përmbytjet.
Probleme nga reshjet e shiut ka patur edhe në Njësinë Administrative të Kolshit. Disa banesa në fshatin Gryk Manati u përmbytën, ndërsa shumë rrugë u bllokuan në këtë zonë, duke bllokuar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve. Banorët thonë se kjo situatë përsëritet sa herë që ka reshje shiu për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese, duke ju shkaktuar dhe dëme të shumta.
Vërshimi i ujit nga malet solli prani gurësh dhe inertesh në rrugët e qytetit, por dhe në zonën e Gryk Manatisë.

Përmbytjet në Kurbin, banorët prej 10 ditësh të rrethuar nga uji

Shirat e rënë gjatë natës kanë krijuar një gjendje të rënduar në fushat e rrethit të Kurbinit, ku rezultojnë me dhjetëra hektarë të përmbytur si dhe kanalet kulluese të tej mbushura dhe për pasojë uji i tyre është përhapur në sipërfaqet e fushave. Siç është theksuar vazhdimsht kanalet kulluese janë krejtësisht jashtë funksionit. Po ashtu sipërfaqe të tëra janë përmbytur edhe në fushat e Thumanës.
Megjithë situatën e krijuar nga këto përmbytje në terren nuk ka dalë asnjë pushtetar për të parë situatën e krijuar. Fushat  e mbjella me misër, jonxhë, pemë etj., vazhdojnë të jenë nën ujë, duke i çuar këto drejt asfiksimit të tyre.
Në Milot, një familje kërcënoi se do të sakrifikohej, duke i vënë zjarrin dy bombulave të gazit. Të përmbytur prej dhjetë ditësh, askush nuk i ka ndihmuar. Kështu jetojnë prej dhjetë ditësh që kur rrjedha e një përrori u mori para çfarë kishin. Jashtë shtëpisë së tyre ka vetëm ujë. Të varfër pjesëtarët Lleshi në Milot janë lënë vetëm.
Dy bombulat dhe pak ndërresa i nxorrën në oborr për të tërhequr vëmendje, kryefamiljarja Maria kërcënoi se do t’i shpërthente. Reshjet më të fundit kanë përkeqësuar situatën në Laç. Nga koha kur qyteti dhe disa fshatra u përmbytën, 300 ha tokë ndodhen nën ujë. Fshatrat Gjorm, Mali Bardhë, Shullaz, Zheje, janë më të rrezikuarit. Të mbjellat e fshatarëve janë dëmtuar në masë.
Problematika në Kurbin vazhdon prej dhjetë ditësh. Përroi vërshoi mes për mes qytetit, duke shkatërruar biznese e banesa, kurse tokat bujqësore u mbuluan nga uji.

R.POLISI