Modriç pas rinovimit: Dua të fitoj La Ligan me Realin

E marta ishte dita e rinovimit të kontratës së tij me Realin e Madridit deri në vitin 2020, ndërsa e mërkura ishte dita për të dalë përpara mediave dhe për të shprehur ndjesitë e tij. Luka Modriç nuk e fshehu lumturinë që do të jetë pjesë e Los Blancos edhe për 4 vitet e ardhshme. Në konferencën për shtyp 1 ditë pas zgjatjes së marrëveshjes me klubin merengues, 31-vjeçari theksoi se për të ky është një moment shumë i veçantë”. Jam shumë i emocionuar që kam rinovuar kontratën time me Los Blancos, dua të falenderoj klubin, por edhe presidentin Florentino Perez që besuan tek unë, deklaroi fillimisht Modriç.
Mesfushori kroat më tej shtoi: “Premtoj që do të jap gjithçka nga vetja për të përmbushur kërkesat e klubit dhe tifozëve, shpresoj të përjetoj shumë suksese këtu në të ardhmen. Luka Modriç ndër të tjera foli edhe për objektivat e Realit të Madridit në këtë sezon. “Që nga momenti që jam bërë pjesë e këtij klubi kam fituar gjithçka me përjashtim të La Ligas. Vetëm ai titull më mungon. Mund të them që triumfi në kampionat është prioriteti ynë në këtë sezon. Katër vite pa e fituar janë shumë, nënvizoi më tej Modriç. Përsa i përket dëmtimit, 31-vjeçari la të kutpohet se ndihet mirë dhe shumë shpejt do të jetë sërish në dispozicion të trajnerit Zidane.