Interi do ta kalojë momentin e vështirë

Tashmë fjalët nuk vlejnë më tej, pasi Interi ka nevojë për vepra. Këtë të enjte në “San Siro” vjen Southamptoni dhe për zikaltërit nuk ka objektiv tjetër përveç fitores, nëse Interi dëshiron të shpresojë te kualifikimi përtej fazës së grupeve në Europa League. Frank De Boer nuk po përjeton një periudhë të lehtë në stolin e Interit dhe trajneri holandez i ka të qarta vështirësitë.
“Kur nuk fitohet është gjithmonë e vështirë, ashtu si e gjithë skuadra edhe unë dua të fitoj. Rezultatet ndaj Romës dhe Cagliarit ishin negative, duhet të përmirësohemi shumë në këtë aspekt, sepse humbjen e fundit nuk duhet ta kishim pësuar. Kemi treguar se jemi një skuadër e mirë, por duhet të përmirësohemi. E dimë të gjithë që duhet të ndryshojmë marsh, sepse në futboll nëse nuk ke shumë kohë dhe ndryshimet duhet të ndodhin shpejt. A ndihem në rrezik? E di që rezultatet që kemi regjistruar gjatë kësaj periudhe kanë qenë negative, por mendoj se është vetëm çështje kohe. Kur nis një projekt të ri, vështirësitë në fillim janë mëse normale. Më duket sikur ndodhem në drejtimin e një makine të Formula 1. Makina është e mirë, por duhet ta përmirësosh gjatë rrugës”, u shpreh De Boer.
Më pas, De Boer vlerësoi Southampton-in, ndërsa u ndal edhe te çështja Icardi, ndërkohë që konfirmoi faktin se, Marcelo Brozoviç do të luajë ndaj skuadrës angleze. “Ajo që ndodhi me Icardin nuk është pozitive për skuadrën, për tifozët, por mbi të gjitha për shoqërinë dhe futbollistët. Duhet t’i evitojmë këto lloj situatash, sepse shpërqendrojnë ekipin para një ndeshjeje. Të gjithë duhet të mësojnë nga ajo që ndodhi dhe t’i evitojnë situata të tilla në të ardhmen. Brozoviç? Është stërvitur shumë mirë, ka luajtur 2 ndeshje me përfaqësuesen  kroate  dhe mendoj se është gati”, përfundoi trajneri i Interit.
Pas 3 javësh mungesë, Europa League rikthehet në ekranin e Supersport me ndeshjet e treta të fazës së grupeve. Sfidat emocionuese nuk do të mungojnë as këtë të enjte për një tjetër mbrëmje spektakolare. Inter-Southampton është një nga ndeshjet më të rëndësishme të ditës. Në orën 19:00, zikaltërit e Frank De Boer duhet ta hedhin pas krahëve momentin negativ që po kalojnë nëse duan realisht të shpresojnë te kualifikimi. Në ndryshim nga ekipi anglez që numëron 4 pikë, pas 2 ndeshjeve të para në grupin K, Interi nuk ka grumbulluar asnjë pikë. Në këtë mënyrë për milanezët në këtë ndeshje nuk ka vlerë asnjë rezultat tjetër përveç fitores.