Ballina Ekonomi Efektet e kreditimit në valutë

Efektet e kreditimit në valutë

Në ditët e sotme, ndonëse përgjatë viteve ka shënuar një rënie, më shumë se 65% e kredisë ndaj sektorit privat në Shqipëri është lëvruar në valutë. Struktura e saj përbëhet kryesisht nga kredia konsumatore, kredia hipotekare si dhe ajo ndaj ndërmarrjeve të mëdha. Në pjesën më të madhe, kjo prirje diktohet nga faktorët e kërkesës, ndonëse jo të rëndësishëm, ata janë relativisht më përcaktues se faktorët e ofertës, kryesisht për shkak të shtrirjes më të vogël të efekteve të aktiveve, sipas një studimit të autorit Gerti Shijaku, nga Departamenti i Kërkimeve, Banka e Shqipërisë.
Rezultatet dëshmojnë se kreditimi në valutë është nxitur kryesisht nga mjaftueshmëria e likuiditetit në valutë që bankat zotërojnë dhe tendenca drejt portofoleve që mbartin më pak rrezik. Gjithashtu, kreditimi në valutë është më i preferuar në kushtet e spread-it pozitiv të normave të interesit për kreditimin në monedhë të ndryshme, luhatshmërisë së inflacionit dhe kursit të këmbimit të qëndrueshëm.
Aktualisht, theksohet në studim, portofoli i kredisë në valutë shfaqet disi më problematik në drejtim të cilësisë së tij krahasuar me portofolin në monedhën vendase për shkak se kjo formë kreditimi zë rreth 71% kundrejt 29% të të gjithë kredisë me probleme (NPL), dhe 17% kundrejt 7% të kredisë totale ndaj sektorit privat. Nisur nga pjesa e konsiderueshme që zë kreditimi në valutë dhe ritmi i shpejtë i përkeqësimit të asaj me probleme që lidhet me këtë portofol (i cili, kohët e fundit, është rritur me një normë më të lartë se ajo në monedhën vendase), situata paraqitet veçanërisht shqetësuese, pasi rreziku dhe pasojat që lidhen me këtë portofol janë të një rëndësie më të madhe. Për më tepër, kreditimi në valutë potencialisht kufizon efikasitetin e politikës monetare dhe politikave makroekonomike. Në veçanti, ai mund të kufizojë aftësinë e bankës qendrore për të stimuluar aktivitetin prodhues dhe normën e inflacionit, duke e detyruar atë t’i japë përparësi stabilizimit të kursit të këmbimit.
Në këto kushte, masat e duhura rregullatore dhe mbikëqyrëse të orientuara drejt këtyre sfidave vendimtare varen kryesisht nga njohuritë mbi përcaktuesit pas së cilës shpjegohet prirja dominuese e kreditimit në valutë dhe ndikimi që kriza pati në të, edhe pse pasojat e kreditimit në valutë në stabilitetin makroekonomik dhe atë financiar janë debatuar gjerësisht përpara fillimit të krizës financiare globale. Në fakt, pasi efektet ekonomike të krizës u përçuan tek vendet e rajonit të EQLJL-së, duke shkaktuar luhatje në kursin e këmbimit dhe përkeqësimin e gjendjes financiare të individëve dhe ndërmarrjeve, çështja e kreditimit në valutë ka tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e politikëbërësve. Në këtë aspekt, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, ndër masat e para makroprudenciale që mori në fund të vitit 2008 dhe në fillim të vitit 2009, qenë rritja e kërkesës për shpenzime kapitale për portofolin e kredisë bankare të pambrojtur dhe përcaktimi i një niveli më të lartë kufizimi të ponderuar për degët e bankave të huaja5. Këto masa synonin të dekurajonin kreditimin në valutë. Megjithatë, mendimi i përhapur se kreditimi në valutë në Shqipëri është nxitur nga spread-et pozitive midis normave të brendshme dhe të jashtme të interesit dhe nga rreziku i luhatshmërisë së normës së inflacionit dhe asaj në kursin e këmbimit ose likuiditeti i bollshëm i bankave në valutë nuk ka qenë ende pjesë e analizave empirike6. Për më tepër, edhe pse literatura mbi shkaqet dhe pasojat e kreditimit në valutë është në rritje, shumë pyetje për rastin e Shqipërisë mbeten pa përgjigje, në veçanti ato që lidhen me faktorët shtytës dhe efektet e tyre mbi kreditimin në valutë ndaj sektorit privat. Prandaj, materiali ofron dëshmi të reja mbi përcaktuesit e prirjes drejt kreditimit në valutë ndaj sektorit privat në rastin e Shqipërisë.
Autori thekson se gjetjet e këtij punimi mbështesin punën kërkimore të mëparshme për rastin e Shqipërisë. Së pari, punimi identifikon një marrëdhënie afatgjatë kointegruese dhe të qëndrueshme. Së dyti, në rastin e goditjeve, shpejtësia e përshtatjes drejt nivelit ekuilibër është relativisht më e lartë se studimet e kryera mbi prirjen e kreditimit bankar dhe funksionin e kërkesës për para. Gjetjet empirike dëshmojnë se kreditimi në valutë nxitet kryesisht nga stoku i depozitave në valutë dhe qasja e PVM-së. Një prirje e tillë diktohet edhe nga spread-et pozitive midis normave të brendshme dhe të jashtme të interesit, si dhe nga zbutja e luhatshmërisë së normës së inflacionit dhe asaj në kursin e këmbimit. Në veçanti, këto rezultate ofrojnë dëshmi mbështetëse se edhe në rastin e Shqipërisë, kredimarrësit janë orientuar sipas qasjes së “Kundërshtimit të Rrezikut”. Prandaj, ato orientohen drejt portofolave që mbartin më pak rrezik, në këtë rast drejt kreditimit në valutë. Së fundmi, kreditimi në valutë është prekur nga kriza financiare globale, por efekti negativ ka qenë relativisht i parëndësishëm.

Exit mobile version