Administrimi i pagesave që do mblidhen nga bizneset, jo transparent

Ligji për personat juridikë ka vendosur një kuotë nga 3000 deri në 100 000 lekë, ndërkohë që një vlerë e tillë nuk është proporcionale, duke marrë në konsideratë dhe taksimin e biznesit në ushtrimet e aktivitetit të tij. Rezultatet e Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane për vitin 2015-2016 treguan se shqetësimi kryesor për klimën e biznesit në vend është niveli i taksave.
Pra, me fjalë të tjera kuotat nuk mund të jenë në një vlerë të tillë, të cilat në fakt nuk janë tjetër veçse një taksim shtesë për biznesin. Ndryshe nga sa është kërkuar gjatë debatit në Komision, nuk rezulton të jetë e qartë përcaktimi i kuotave në rastin e personave juridikë referuar tarifave minimale dhe maksimale apo bazuar në xhiron e kategorive të biznesit, aktivitetit tregtar dhe shërbimeve që ofrojnë në treg.
Po ashtu, përmes dispozitave të tij ligji nuk krijon mundësitë që të bëhet transparente administrimi i të ardhurave të krijuara nga pagesat e kuotave në rastin e Dhomave të Tregtisë.
Në ligj apo relacionin e projektligjit nuk është e qartë strategjia përkatëse se si do të realizohen objektivat dhe shërbimet që do të merren përsipër nga DHTI dhe BDHTI, duke rritur në këtë mënyrë shkallën e pasigurisë të subjekteve tregtare ndaj shërbimit që do të ofrohet nga këto dhoma, gjë për të cilën do të kryejnë dhe pagesën e detyruar.
Në modelin kontinental detyrimi për anëtarësim përmes pagesës së kuotës nga të gjitha subjektet tregtare mbështetet në delegimin e disa punëve publike DHTI-ve për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me biznesin, duke ndikuar në fuqizimin dhe rolin e tyre në vend dhe rritur nevojën e krijimit të instancave shtetërore mbikëqyrëse që kontrollojnë përmbushjen e detyrave publike të deleguara nga DHTI. Në këtë mënyrë krijohet një raport i drejtë dhe i balancuar mes përgjegjësisë e pozicionit influencues të DHTI-ve në përmbushjen e shërbimeve dhe misionit të tyre dhe detyrimit për pagesën e anëtarësimit të subjekteve tregtare. Pra, pagesa e detyrueshme e kuotave të anëtarësimit përligjet nga mirëfuksionimi i DHTI-ve dhe synimi i rritjes së influencës së tyre në politikëbërje në mbrojtjen e anëtarëve të DHTI-ve.
Së fundi, referuar prognozës së bërë në mbledhjen e të ardhurave në mënyrë të detyrueshme nga të gjitha subjektet, qoftë persona fizikë apo juridikë, misioni dhe përcaktimet ligjore në lidhje me aktivitetin e dhomave të përcaktuara në këtë ligj nuk e justifikojnë përfitimin e të ardhurave në atë nivel, i cili mund të ishte lehtësisht i krahasueshëm me buxhetin e një ministrie apo institucioni tjetër të rëndësishëm.
Në përfundim, referuar sa më sipër kërkoj mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e Ligjit nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9640, datë 9.11.2006, ‘Për Dhomat e Tregtisë” të ndryshuar”, pasi bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe kuadrin ligjor në Republikën e Shqipërisë.